Rrëfimi i nënës së argjentinases që dyshohet se u vra në Kosovë
“Të pranosh lajmin se vajza jote kishte vdekur, është diçka që nuk ia dëshiron as armikut më të madh” – shprehet me lot në sy Magdalena Urdangaray.
Magdalena Urdangaray është nëna e Maria Clara Urdangaray nga Argjentina e cila dyshohet se u vra në Kosovë verën e 2023. Maria Clara dyshohet se u shtye nga kati i gjashtë i një hoteli nga i dashuri i saj shqiptar.
Nëna dhe babai i Maria Clarës kanë ardhur për herë të parë në Kosovë nga Argjentina për të folur me organet e drejtësisë këtu. Ata kërkojnë drejtësi përderisa e quajnë femicid vrasjen e vajzës së tyre.
Magdalena Urdangaray e rrëfën si ‘shok’ e tejet të dhimbshme momentin kur e kishin kuptuar se vajza e tyre kishte vdekur në Kosovë.
Ajo thotë se lajmin për vdekje ua dha një shoqe e Maria Clara e cila kishte parë artikuj për vdekjen e një gruaje argjentinase në Kosovë.
“Kur shoqja e vajzës sime më thirri e ma tregoi këtë, unë u shokova. Nuk mund ta pranoja atë që po ma thoshte ajo. Qe një situatë shumë e dhimbshme! Të pranosh lajmin se vajza jote kishte vdekur, është diçka që nuk ia dëshiron as armikut tuaj më të madh. Sepse, për aq sa di unë, gjatë fundjavës, vajza ime ishte në një ceremoni me familjen e partnerit të saj”- thotë Magdalena Urdangaray.
Magdalena kontaktin e fundit ‘online’ me të bijën e pati dy ditë para vdekjes së saj.
Maria Clara i kishte thënë asaj se do të shkonte në Kosovë për një aheng familjar më të dashurin e saj.
“…Maria Clara ishte në Kosovë, se kishte udhëtuar për të marrë pjesë në dasmën e vëllait të Nikës, Endrit Nikës, po martohej Edoni”- rrëfën ajo.
Sipas Magdalenës, nënës së viktimës, Maria Clara dhe i dashuri i saj shqiptar me nënshtetësi zvicerane ishin njoftuar në janar të vitit 2023 në Spanjë me pas ishin zhvendosur për të jetuar së bashku në Zvicër.
“Endriti kishte shkuar disa herë ne Barcelonë për ta parë Clarita-n. Pas një kohe, për shkak të punës, vendosën që të jetojnë në Zvicër. Dhe Maria Clara shkoi atje”- thotë Magdalena.
Magdalena thekson se pas zhvendosjes së vajzës së saj në Zvicer kishte vërejtur disa ndryshime.
“Maria Clara nuk pushonte, i pëlqente të njihte vende, të mësonte. Ishte kureshtare, ishte shumë e këndshme, shumë e shoqëruar, kishte shumë miq. Ishte një person shumë social. Miqtë e saj, dhe jo vetëm, e përshkruanin atë në të njëjtën mënyrë: si një vajzë e ëmbël, solidare. Asaj i pëlqenin kafshët, ishte një punëtore e madhe, nuk kishte paragjykime, ishte e shëndetshme” – e përshkuar nga emocionet, Magdalena e përshkruan kështu të bijën, Maria Clara.
Maria Clara ishte fëmija i vetëm i Magdalena dhe Facundo Urdangaray.
“Ishte fëmija i vetëm që kishim. Vajza e vetme që kishim! Ajo ishte fryt i dashurisë sonë, një vajzë shumë e dashur. Kjo është e tmerrshme për ne! Shumë e vështirë për ne të kalojmë nëpër tërë këtë situatë. Por, e përsërisë: vajza jonë e meriton të jemi të fortë dhe e meriton të kërkojmë drejtësi. Sepse, mbi të gjitha, ne edukuam një vajzë që të jetë kundër dhunës, kundër maltretimit”
“I ati i saj e adhuronte atë, kujdesej shumë për të. Bashkë kujdeseshim që askush të mos e lëndojë atë, sepse gjithmonë frikësoheshim në mos po i ndodh diçka asaj. Dhe e vërteta është se ne u kujdesëm shumë për të. Ishte e vogël, po rritej gjithnjë. Ne bëmë gjithçka për të si prindër. E edukuam me vlera, me limite, e mësuam të bëhet e respektuar”-
Prindërit e viktimës kërkojnë drejtësi dhe dënim meritor për vdekjen e vajzë së tyre. Magdalena thotë se si grua nuk dëshiron që asnjë nënë të kaloj në situatën që ajo po përjeton.
“Si grua, nuk dua që asnjë nënë të kalojë nëpër një situatë si kjo. Nuk dua që të ketë më Clarita. Nuk dua të ketë më! Burrat janë për të na shoqëruar, të na duan, njëjtë si ne, por me respekt, me dashuri e jo me dhunë. Dua që të ketë drejtësi për vajzën time, që dënimi të jetë meritor. Në vendin tonë, femicidi dënohet me burgim të përjetshëm. Shpresojmë që të ketë drejtësi për Maria Clara-n, dhe ne duam drejtësi për Clarita-n”- thotë ajo në intervistë për KALLXO.com
Prindërit e Maria Clara kanë autorizuar avokatin, Betim Shala për ti përfaqësuar ata gjatë procesit sa zgjasin hetimet dhe procesi penal.
“Ne erdhëm për të autorizuar avokatin, sepse duhet të jemi të informuar për rrjedhën e procesit penal. Prokurori na priti shumë mirë. Në prani të tij e nënshkruam autorizimin për avokatin. Me autoritetet që kemi biseduar, jo tani, por më herët, ishte me ministren e Drejtësisë. Po ashtu, kemi pasur kontakt edhe me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Lisa Gashin, dhe me zëvendësministrin Qorroli. U jemi shumë mirënjohës se na kanë hapur një kanal komunikimi dhe të na kenë ndihmuar për të zgjidhur çështjen e bartjes së trupit të pajetë të vajzës sonë. Këto janë autoritetet me të cilat kemi folur dhe kontaktuar deri më tash”-
Gjykata Themelore në Prishtinë ka thënë për KALLXO.com se të dyshuarit për vrasjen e Maria Clara Urdangaray, Endrit Nikës, më 07.05.2024 i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 07.05.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit E.N iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se më 01.08.2023 rreth orës 01:59 shtetasja argjentinase kishte vdekur si pasojë e lëndimeve të marra, që dyshohet se ka rënë nga një lartësi e objektit ku ka qenë duke qëndruar së bashku në Fushë Kosovë me të dyshuarin shtetas zviceran.