Kryeminstri Albin Kurti në një postim në platformën “X” të dielën mbrëma, renditi të arriturat gjatë qeverisjes së tij, ku theksoi se nën drejtimin e tij po punohet në përmirësimin e mundësive për gratë dhe vajzat, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
“Deri tani 51% e të rinjve të punësuar përmes platformës sonë SuperPuna të sponsorizuar nga qeveria, së bashku me 55% të përfituesve të masës sonë të punësimit për familjet janë gra. Kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tre vitet e fundit. Kemi përdorur masa të synuara ndaj bizneseve në pronësi ose në bashkëpronësi të grave dhe u kemi ofruar grante dhe subvencione më të larta në kuadër të programeve tona të efiçiencës së energjisë”, ka shkruar ai.
Kurti tutje si të arritur e ka përmendur edhe hapjen e llogarive të para bankare nga më shumë se 100 mijë gra.
“Mbi 55 mijë gra kanë përfituar për herë të parë nga shtesat tona të lehonisë. Në tre vitet e fundit ne kemi financuar mbi 4600 bursa universitare për gra dhe vajza në STEM. Ata tani përbëjnë 50% të studentëve në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës – një arritje e jashtëzakonshme e barazisë gjinore në fushat tradicionalisht të dominuara nga meshkujt. Ne kemi integruar politikëbërjen me bazë gjinore në fusha të tilla si energjia, duke ofruar bursa dhe praktika për gratë në energji. Numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike, në të cilat kemi katërfishuar (nga 10% në 45%) peshën e grave në bordet e drejtorëve”, ka shtuar ai.
Sipas Kurtit, arsimi, punësimi, përfaqësimi, mirëqenia dhe pavarësia financiare janë shtyllat kryesore të barazisë sociale dhe gjinore.