Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të hënën votuan pro heqjes së vizave për qytetarët serbë në Kosovë që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe, e që konsiderohet si ilegale nga ana e autoriteteve kosovare, shkruan Gazeta Enigma.
Një lëvizje e tillë u kritikua nga akterë të ndryshëm vendor, të cilët këtë po e shohin këtë hap si një ngadalësim të integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
Ishte presidentja Vjosa Osmani ajo që reagoi menjëherë pas votimit të Këshillit të BE-së, duke thënë se legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, “saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë”.
“Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj”, tha Osmani dje.
Në lidhje me këtë vendim sot reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se një vendim i tillë është “i padrejtë, i dëmshëm dhe gjithashtu dekurajues për integrimin e serbëve”.
“Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit”, u shpreh Kurti.
Arsyetimi i BE-së
Në lidhje me këtë çështje, Gazeta Enigma dërgoi pyetje drejt Bashkimit Evropian, të cilët këtë vendim e arsyetuan duke thënë se “qëllimi i propozimit është të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga një regjim pa viza kur udhëtojnë në BE”.
“Më 16 nëntor 2023, Komisioni miratoi një propozim për të lejuar serbët e Kosovës që janë mbajtës të pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe të udhëtojnë pa viza në BE. Qëndrimi i Komisionit theksohet në propozimin e Komisionit. Qëllimi i propozimit është të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga një regjim pa viza kur udhëtojnë në BE”, tha për Gazetën Enigma një zëdhënësi i Komisionit Evropian.
“Ky propozim plotëson hyrjen në fuqi të regjimit pa viza për mbajtësit e pasaportave të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2024”, është shtuar tutje në përgjigje.
BE refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të “Enigmës” nëse besojnë se një gjë e tillë ngadalëson integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet kosovare.
“Vepër skandaloze”
Gazeta Enigma po ashtu kontaktoi me Amir Shabanin, i cili është njohës i integrimeve në BE.
Shabani nuk hezitoi ta quajë “skandaloz” vendimin e BE-së .
“Është një vepër skandaloze dhe krejtësisht e padrejtë nga ana e BE-së”, tha Shabani.
Shabani tha se kjo padyshim që ndikon në ngadalësimin e integrimit të serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Qytetarët e komunitetit serb fillimisht duhet të integrohen në mënyrë hibride në institucionet e Kosovës sipas statusit të tyre kushtetues dhe më pas të fitojnë të drejtën e liberalizimit të vizave si gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Tutje Shabani tha se BE-ja po përpiqet më shumë ta përkëdhel Serbinë dhe komunitetin serb që gjenden në Kosovë, me arsyen e vetme që të distancohen nga vija ruse dhe kineze.
“Mirëpo ky akt i BE-së po e prish balancin me tërë shtetin e Kosovës sepse po e zvarrit tej mase integrimin e vendit”.
Propozimi për liberalizimin e vizave për qytetarët me këtë lloj pasaporte është miratuar dje nga Këshilli dhe me këtë përmbyllet procesi legjislativ.
Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. /Gazeta Enigma/