Sot i dorëzohet Qeverisë Raporti i Progresit – Cilat ishin mesazhet kryesore?

Sot i dorëzohet Qeverisë Raporti i Progresit – Cilat ishin mesazhet kryesore?

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, do t’i dorëzojë sot zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Raportin e Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian për vitin 2023, shkruan Gazeta Enigma.

Komisioni Evropian (KE), përmes këtij raporti, ka shprehur kritika ndaj Kosovës dhe Serbisë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Në draft-raportin prej 150 faqesh që u publikua në media vlerësohet përmbushja apo mos përmbushja e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.

Vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë më 8 nëntor, është se Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.

Në raportet e këtij viti, për Kosovën dhe për Serbinë, theks i veçantë i vihet përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit, dhe në këtë çështje të dyja vendet qortohen për moszbatimin e tyre.

“Të zbatohen marrëveshjet pa vonesa”

Duke e theksuar arritjen e Marrëveshjes në Bruksel dhe dakordimin për aneksin për zbatimin e saj në Ohër, raporti shpreh keqardhje që palët nuk kanë filluar ende t’i kryejnë obligimet e tyre.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët, dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Palët duhet urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv dhe të nisin zbatimin pa vonesa të reja, apo parakushte“, thuhet në Raportin e Progresit.

Raporti i vë theksin detyrimit të Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe gjithashtu thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë, “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“.

Raporti këtë herë kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë më 21 tetor.

“Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian, i cili u propozua para palëve më 21 tetor 2023, dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe paralelisht ta fillojë përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja“, paralajmëron raporti, i cili bën thirrje që “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e progresit në zbatimit”.

Raporti, tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023, e sheh si “shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu, që paraqet kthim të madh mbrapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e parë për parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015“.

Në raport i bëhet thirrje Serbisë që t’i nxitë serbët e Kosovës “që menjëherë të kthehen në institucione”, dhe i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur një gjë të tillë.

“Që nga nëntori i vitit 2022 asnjëra palë nuk e ka bërë asnjë hap në këtë drejtim“, thekson raporti.

Raporti i Progresit, përmend edhe obligime të tjera nga dialogu të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë hapjen e urës mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, marrëveshjen për energjinë, e të tjera.

Serbia përmendet si palë, e cila nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe as atë për diplomat universitare.

Nga Serbia, raporti kërkon të bëjë më shumë për rifillimin e takimeve të rregullta për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit (IBM), për mbylljen e rrugëve ilegale për kalimin e vijës kufitare dhe ta zgjidhë çështjen e lëshimit të targave të veturave “pasi kjo çështje ka potencial të shkaktojë tensione në Kosovë”.

Të dy shteteve u kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale. Për më tepër, Serbisë i kërkohet t’i respektojë obligimet për pjesëmarrjen e Kosovës, ndërsa Kosovës të mos i mbajë të bllokuara proceset siç bën, sipas këtij raporti, si në rastin e CEFTA-s.

Tensionet mes dy vendeve: Të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza

Raporti i Progresit përshkruan me kujdes tensionet në veri të Kosovës, duke ardhur në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre.

Sipas raportit, Kosova, ka ndikuar në rritjen e tensioneve me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë dhe me Ligjin për shpronësim në veri, ndërsa Serbia me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Në veçanti, raporti flet për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në këtë periudhë, ku Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Për përfaqësuesit e BE-së “sulm terrorist”, për Komisionin Evropian “sulm i dhunshëm”

Nga deklaratat publike të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, sulmi ndaj Policisë së Kosovës është cilësuar si “terrorist“, ndërsa, Raporti i Progresit i referohet atij vetëm si “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, ku ndër të tjera brenda në raport flitet për “operacion të madh të kontrabandës së armëve“.

“Kriza më serioze gjatë periudhës që përfshin raporti ndodhi më 24 shtator të vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në befasi gjatë një operacioni të madh të trafikimit të armëve, duke lënë një polic të vrarë dhe tre të plagosur. Gjatë operacionit sulmuesit morën peng disa pelegrinë, duke u barrikaduar në manastirin ortodoks serb në Banjskë, të cilët i lanë pas kur u larguan“, thuhet në raport.

Raporti fton Serbinë për bashkëpunim të plotë në hetime dhe vënie para drejtësisë për përgjegjësit.

“Sulmi nuk duhet të shërbejë si një arsyetim për cilëndo palë për largimin e vëmendjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekjet domethënëse për shtensionimin, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës“, thuhet në raport.

Kosova shënon “përparim të kufizuar” në fushat e mbikqyrura nga Komisioni Evropian

Sa i përket përparimeve që ka arritur Kosova, Komisioni Evropian vlerëson “përparim i kufizuar“ në luftën kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes.

Raporti cilëson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.

“Kosova ka dështuar ta reformojë administratën publike”

Raporti i Progresit vlerëson se Kosova ka dështuar ta reformojë administratën publike, duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.

Sa i përket situatës politike në Kosovë, nga raporti vlerësohet si e qëndrueshme, ku përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, e cila ia ka “mundësuar ta çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane”.

Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor, ndërsa përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, pavarësisht faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend.

Sa i përket punës së Kuvendit, problem i veçantë sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë, të cilët shkojnë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet, por vazhdojnë bojkotin.

“Zbatimi i marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia, është rruga e vetme drejt integrimit në BE”

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani, në një prononcim për Gazetën Enigma ka folur rreth kritikës kryesore të Raportit të Progresit e që është (mos)zbatimi i marrëveshjeve nga të dyja palët.

Shabani vlerëson se zbatimi i marrëveshjeve nga të dy palët është rruga e vetme drejt BE-së, derisa thekson faktin se palët po përgatisin pajtueshmërinë në popull në lidhje me marrëveshjet mes tyre.

“Në përgjithësi, zbatimi i marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia, është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet. Fakti se duhet nënshkruar një marrëveshje e tillë, dëshmon se palët po përgatisin pajtueshmërinë në popull për kompromiset mes tyre”, thekson Shabani.

Sipas tij, tashmë është e qartë që Kosova duhet të themelojë Asociacionin ndërsa Serbia të njohë de fakto Kosovën.

“Kancelaritë evropiane kanë potencuar që Kosova ta themelojë Asociacionin dhe Serbia ta njohë de fakto Kosovën, është orientimi më i qartë i planeve gjeostrategjike dhe gjeopolitike për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Shabani thekson se Asociacioni mbetet një nga pikat kryesore të marrëveshjes, teksa shton faktin se ai përcakton integrimin mes komunave me shumicë serbe dhe institucioneve të Kosovës.

“Mos të harrojmë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe konsiderohet si një nga pikat kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse ajo në mënyrë strukturore dhe sistematike përcakton integrimin afatgjatë dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet komunave me shumicë serbe dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, ka thënë Shabani.

“Komente ka pasur nga të dyja palët, madje nga Serbia se nuk do nënshkruajë për njohjen de fakto të Kosovës, mirëpo kujtoj që këto komente dhe dilema do të gjejnë zgjidhjen e duhur mes palëve dhe lehtësuesve”, ka thënë tutje Shabani për Gazetën Enigma.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, në takimin e Kolegjit të 27 Komisionarëve, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit dhe është hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces, përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë. /Gazeta Enigma

Related Articles