Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancën konstituive, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton Gazeta Enigma.
Seanca është caktuar të nisë në orën 10:00.
Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 1 prill.
Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.
Në rastin e tanishëm, seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në seancën konstituive nuk do të ketë debat, por rendi i ditës do të nisë me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.
Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumin në seancën konstituive, deputetët do ta bëjnë betimin solemn.
Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e kryetarit të këtij legjislativi, pozitë kjo e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka numrin më të madh të deputetëve.