Sot nis periudha e votimit jashtë vendit për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, një proces që u jep mundësinë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e tyre pë të votuar, raporton Gazeta “Enigma”.
Ky hap thelbësor garanton përfshirjen dhe barazinë e të gjithë votuesve, pavarësisht vendndodhjes së tyre, duke reflektuar rëndësinë e diasporës në jetën politike dhe shoqërore të vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
“Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit: duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”.
Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar sipas kësaj mënyre, adresat e kutive postare të KQZ-së jashtë Kosovës, por edhe të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë, mund t’i gjejnë KËTU.
“Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës”, thuhet tutje në njoftim.
Procesi i votimit jashtë vendit shihet si një mundësi për të forcuar demokracinë dhe për të rritur pjesëmarrjen e përgjithshme në zgjedhje, ndërsa autoritetet po ndjekin hapa për të siguruar një proces transparent dhe të sigurt. /Gazeta Enigma/