Memli Krasniqi, deri më sot është i vetmi kandidat i shpallur për ulësen e të parit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan Gazeta “Enigma”.
Krasniqi, i cili që nga viti 2004 është angazhuar aktivisht në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), fillimisht duke drejtuar Qendrën për Studime Politike që ka funksionuar në kuadër të kabinetit të kryetarit të partisë, z. Hashim Thaçi, ka mbajtur edhe disa pozita kyqe në parti.
Krasniqi në vitin 2006 ishte emëruar udhëheqës i Departamentit të Rinisë, ndërsa në tetor të të njëjtit vit është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës – subjektit rinor të PDK-së që përfaqëson anëtarët e saj ndërmjet moshave 16 – 30 vjeç. Nga ky pozicion, ai ka qenë edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së, kurse në fillim të vitit 2013, Krasniqi ishte zgjedhur nënkryetar i PDK-së për Çështje Organizative dhe të Rinisë.
Përpos kësaj ai ka ushtruar edhe funksione ekzekutive në të kaluarën, derisa Hashim Thaçi ishte kryeministër i vendit.
Ndonëse Krasniqi ende zyrtarisht nuk ka kundër kandidat, afati i fundit për tu paraqitur për këtë pozitë është sot deri në orën 17:00.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën “Enigma”, sekretari elektoral i PDK-së, Betim Gjoshi.
“Deri më tani e kemi vetëm një kandidaturë zyrtare. Ne jemi duke prit. Mund të kandidojë kushdo që është i interesuar, por deri më tani është vetëm Memli Krasniqi”, ka thënë Gjoshi.
Në anën tjetër ndonëse ende s’është deklaruar publikisht, sinjale se e synon këtë pozitë ka dhënë edhe Enver Hoxhaj, i cili në muajin qershor ishte ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së.
Përpos emrit të Hoxhajt, tashmë është përfolur edhe emri i ish ambasadores së Kosovës, në ShBA, Vlora Çitakut.
Një gjë e tillë është mohuar nga zyrtar të organeve të partisë, të cilët kanë njoftuar se Çitaku do të jetë anëtare e kryesisë së partisë, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.
“Vlora Çitaku do të jetë anëtare e kryesisë së PDK-së. Unë me të jam takuar para 4 orësh”, ka thënë Hoxhaj të mërkurën.
Tutje ai është pyetur se a do ta ketë në ekip Çitakun nëse kandidon për kryetar të PDK’së.
“Nuk mund të jesh kandidat pa e ditur se cilat do të jenë figurat kyçe që do të jenë pjesë e partisë. Zonja Çitaku është më se e mirëseardhur. Figurat që vijnë prej UÇK’së, duhet të mbesin tutje në PDK dhe nuk duhet të largohen. Edhe zonjën Çitaku e shoh kyçe”, ka thënë Hoxhaj.
Kujtojmë se më 3 korrik, Partia Demokratike e Kosovës do të bëhet me kryetar e kryesi të re.
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen që ka mbajtur 10 ditë më parë, e ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë./Gazeta Enigma.