Sot seanca e fundit gjyqësore ndaj Konjufcës për gazin lotsjellës

Sot seanca e fundit gjyqësore ndaj Konjufcës për gazin lotsjellës

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca përfundimtare ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca në lidhje me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Konjufca po akuzohet për këtë veprim gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë bashkë me partinë së cilës i përket, Lëvizjen Vetëvendosje, në periudhën kur po protestonte kundër miratimit të demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Besart Mustafa ka kërkuar që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të dënohet për veprën penale që i vihet në barrë, ndërsa mbrojtësja e tij, avokatja Arbnora Zeqiri kërkoi që Konjufca të lirohet nga akuza.

Këto deklarime u bënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Prokurori Besart Mustafa gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se bazuar në provat materiale dhe profesionale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se Konjufca ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Nga dëshmitë e dëshmitarëve Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sllobodan Petroviq, Valdete Bajrami, është vërtetuar se më 10.08.2016 gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës është hedhur gaz lotsjellës. Kurse, dëshmitari Pal Lekaj, kishte deklaruar se nuk i kujtohet se ishte hedhur gaz lotsjellës”, tha prokurori.

Prokurori Mustafa shtoi se nga raporti i vendit të ngjarjes, është vërtetuar se Policia ka dalë në vendngjarje dhe se afër vendit ku ka qëndruar i pandehuri Konjufca, është gjetur një bombolë e gazit lotsjellës.

“Nga procesverbali i mbledhjes është vërtetuar se në këtë mbledhje ka qenë i pandehuri Glauk Konjufca dhe është vërtetuar se gjatë zhvillimeve të diskutimeve në sallën C301 ka hedhur gaz lotsjellës dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar është ndërprerë mbledhja e kryesisë”, shtoi prokurori.

Related Articles