Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, sot do të qëndrojnë në Bruksel.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, raporton Klan Kosova.
Tutje, ai ka njoftuar se i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’i presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.
“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.
Kujtojmë se marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës u arrit më 10 korrik në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.