Edhe pas pranimit të informacionit të kërkuar nga Policia e Kosovës, trupi gjykues ua ka vazhduar paraburgimin Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Informatat nga Policia e Kosovës janë kërkuar lidhur me autoritetin dhe aftësinë (në veçanti, për sa i përket personelit dhe burimeve në dispozicion) për të kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit të përkohshëm, për të monitoruar dhe kufizuar komunikimet e individëve të tillë, për të administruar arrestin shtëpiak.
Në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Haradinajn, thuhet se paneli konkludon se ekziston rreziku që nëse lirohet, i njëjti mund të pengojë mbarëvajtjen e procedurës dhe kryej vepra penale ose të përsërisë ato vepra penale për të cilat ai akuzohet ose ai ka kërcënuar më parë se do të kryejë.
Sipas vendimit, paneli konstaton se regjimi i propozuar është i pamjaftueshëm për të zbutur në mënyrë adekuate rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii)-(iii) të Ligjit në lidhje me Haradinajn dhe se çdo kusht shtesë i vendosur nga Paneli nuk do të ndikojnë në këtë përfundim.
“Siç u konstatua më parë, është vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimit të zbatueshëm në objektet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që komunikimet e z. Haradinaj mund të kontrollohen në mënyrë efektive me synimin për të zbutur mjaftueshëm rreziqet që ai të pengojë procedurat e KS ose të kryejë krime të mëtejshme”, thuhet në këtë vendim.
Tutje, thuhet se paneli konstaton se kushtet e listuara në Regjimin e propozuar nuk mund të zbusin mjaftueshëm rrezikun që Haradinaj të pengojë procedurat duke shpërndarë ose lehtësuar shpërndarjen e informacionit konfidencial ose të mbrojtur ndryshe dhe në këtë mënyrë duke kërcënuar ose ndikuar dëshmitarët, viktimat ose bashkëpunëtorët.
Sipas vendimit, paneli konstaton se regjimi i propozuar nuk mund të zbusë mjaftueshëm rrezikun që Haradinaj të kryejë vepra penale qoftë në përsëritjen e atyre për të cilat është akuzuar, apo të cilat ai më parë ka kërcënuar se do t’i kryejë.
Kurse, për Gucatin thuhet se paneli arrin në përfundimin se ekziston rreziku që Gucati, nëse lirohet, mund të pengojë procedurën aktuale dhe të kryejë vepra ose të përsëris ato për të cilat është akuzuar apo më parë ka kërcënuar se do t’i kryejë.
“Paneli konstaton se kushtet e listuara në Regjimin e propozuar nuk mund të zbusin mjaftueshëm rrezikun që z. Gucati të pengojë procedurat duke shpërndarë ose lehtësuar shpërndarjen e informacionit konfidencial ose të mbrojtur ndryshe dhe duke kërcënuar ose ndikuar në këtë mënyrë dëshmitarët, viktimat ose bashkëpunëtorët”, thuhet në vendimin për Gucatin.
Sipas vendimit, duke marrë parasysh konstatimet e mësipërme në lidhje me zbutjen e rrezikut të pengimit të procedurave, Paneli konstaton se regjimi i propozuar nuk mund të zbusë mjaftueshëm rrezikun që Gucati të kryejë shkelje qoftë në përsëritjen e atyre veprave për të cilat është akuzuar ose që ai ka kërcënuar më parë se do t’i kryejë.
Tutje, thuhet se paneli konstaton se regjimi i propozuar është i pamjaftueshëm për të zbutur në mënyrë adekuate rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii)-(iii) të Ligjit në lidhje me Gucatin dhe se çdo kusht shtesë i vendosur nga Paneli nuk do të ndikojnë në këtë përfundim.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
nga TaboolaMund t’ju interesojnë
Ky është njeriu që ka vozitur me shpejtësi mbi 400 km/h në autostradë
Dy kunatat rrahin nusen e vëllait, ia marrin fëmijët dhe e dëbojnë nga shtëpia
Omicroni dhe gripi stinor me ngjashmëri që hutojnë
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./Gazeta Enigma/