Specialja shpalos detaje rreth nisjes së gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Specialja shpalos detaje rreth nisjes së gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Express ka konfirmuar se gjykimi për rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerët pritet që të fillojë në çerekun e parë të vitit 2023.

Ajo ka thënë se ende s’ka ndonjë afat të caktuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake për transferimin e lëndës tek trupi gjykues dhe si rezultat i kësaj nuk dihet saktësisht se kur mund të fillojë procesi i gjykimit.

“Përderisa gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar afate për t’u siguruar që të gjitha palët të përgatiten shpejt për gjykim, deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t’ia transferojë dosjen e lëndës trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjyqi”, ka thënë Griep.

Por, Griep thotë se në bazë të një vendimi publik të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake parashikohet që dosja e lëndës mund të jetë gati për t’iu dorëzuar trupit gjykues deri në fund të këtij viti, e që nënkupton se procesi i gjykimit mund të fillojë në çerekun e parë të vitit 2023.

“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake ka treguar në një vendim publik se ai ka parashikuar që dosja e lëndës mund të jetë gati për t’iu transmetuar trupit gjykues deri në fund të vitit që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Griep.

Griep gjithashtu ka konfirmuar se do të jetë një proces i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit  dhe s’ka indikacione se mund të ketë ndonjë ndarje.

“Sa i përket pyetjes suaj të dytë, nuk ka indikacione se procedurat në rastin Thaci dhe të tjerët mund të ndahen, kështu që procedurat kundër katër të akuzuarve do të vazhdojnë si deri më tani, si pjesë e të njëjtit gjykim”, ka përfunduar Griep.

Related Articles