Gjatë mandatit katërvjeçar të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Kosova nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja ndërkombëtare, shkruan Gazeta “Enigma”.
Njohja e fundit erdhi në shkurt të vitit 2021 nga Izraeli, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar në Shtëpinë e Bardhë.
Ministrja Gërvalla ka deklaruar se mungesa e njohjeve të reja nuk varet vetëm nga përpjekjet e Kosovës, por edhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Ajo ka theksuar se janë fokusuar në pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke synuar përmirësimin e marrëdhënieve me to.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Global, Jeton Halimi, ka kritikuar mungesën e njohjeve të reja, duke e konsideruar si një dështim në politikën e jashtme të Kosovës gjatë kësaj periudhe.
Halimi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se Gërvalla në këtë profesion është analfabet, nuk i din as gjërat elementare.
“Në Ministrin e Punëve të Jashtme të ministres Donika Gërvalla, punët janë shumë keq dhe nuk ka as edhe një përmirësim aty”, tha ai.
Tutje Halimi ka shtuar se “ministrja Donika Gërvalla në këtë profesion është tipik analfabet dhe nuk i din as sendet elementare qysh duhet me udhëheq këtë ministri, po ju shkon mandati edhe nuk e kemi asnjë njohje nga një shtet i botës apo 5-ja e Bashkimit Evropian për t’iu lehtësuar shtetit të Kosovës të anëtarësohet në Organizatat Ndërkombëtare si Interpoli, dhe jo rastësisht nuk jemi pranuar as në Këshillin e Evropës, dhe Kosova vazhdon të jetë nën sanksione nga Bashkim Evropian”.
Sipas Halimit kjo ministri është dashtë të udhëhiqet nga njerëz të kësaj fushe, që do të kishin më shumë suksese se Donika Gërvalla.
“Shpresojmë që ditëve në vijime do të këtë angazhime shumë të mira dhe të fillojë një etapë e re drejt sukseseve për të mirën e Kosovës”, tha Halimi për “Enigmën”.
“Kjo ministri është dashtë të udhëhiqet nga njerëz të kësaj fushe, Kosova ka mjaft kuadro që kishin mundur me bo punë shumë më të mira se Gërvalla”, deklaroi ai.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma”, ka kontaktuar edhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, e cila ka deklaruar se ministrja Gërvalla ka pasur një performancë të keqe si komplet Qeveria Kurti.
“Si komplet Qeveria edhe Gërvalla ka pasur një performancë të keqe, gjithçka ka shkuar në një proces jo transparent, llogaridhënies i kanë ikur raportimeve dhe dhënies së përgjegjësisë para komisioneve parlamentare, por edhe para opinionit, e sidomos edhe mungesa e deklarimeve të tyre para publikut dhe mediave”, tha Kadrijaj.
Tutje ajo ka theksuar se “si rezultat në fund të fundit puna e një Qeverie apo një ministre, apo dikasteri me të arriturat që i ka arritur. Çka ka bërë kjo si ministre e Punëve të Jashtme duhet potencuar që se kemi asnjë njohje të re, nuk e kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, është stopuar me këto veprimet populliste, është stopuar rruga e integrimit evropian, nuk kemi hyrë fare në agjendë edhe pas aplikimit për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe jemi vend i sanksionuar”.
“Ka pasur veprime të njëanshme, pa dakordanc me aleatët tanë dhe normal që mungojnë rezultatet”, tha ajo.
Ministrat e kësaj Qeverie raportimet ditore i kryejnë në zyrat e LVV-së
“Fokusi duhet me qenë, por kjo është njëfarë lidhshmërie mes Qeverisë komplet dhe punës së një dikasteri sepse unë kam dëgjuar këta i përgjigjen Lëvizjes Vetëvendosje dhe kur raportojnë ministrat shkojnë raportojnë në zyrat e LVV e kam dëgjuar nga një ministër i cili nuk ju ka përgjigjur kësaj pune, nuk duhet të përgjigjen politikave ditore nuk duhet të shtrihen plotësisht në agjendën e LVV sepse në fund të fundit është përgjegjësi individuale performanca dhe rezultatet dhe ndoshta duke qenë që janë shkri fare në LVV e duke iu përgjigjur këtyre agjendave normal që s’kemi rezultat”, tha Kadrijaj për “Enigmën”.
Pse një performancë e tillë nga ministrat e Qeverisë Kurti?
“Duhet t’a kemi një pavarësi të veprimit dhe angazhim maksimal për përforcimin e marrëdhënieve me vendet të cilat e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe insistimi që ato vende që se kanë njohur Pavarësinë e Kosovës me njohtë Pavarësinë e Kosovës gjë që nuk është bërë. Është dëmtuar rëndë imazhi i Kosovës me arenën ndërkombëtare dhe për këtë ne jemi vend i sanksionuar”, tha Kadrijaj.
Ndërsa Ariana Musliu-Shoshi anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se Gërvalla është dashur të ketë qasje strategjike në zhvillimin e diplomacisë bilaterale dhe multilaterale që të kishte sukses në punën e saj si ministre.
“Ministrja Gërvalla, si ministre e Punëve të Jashtme, do të mund të kishte ndjekur disa qasje strategjike siç është zhvillimi i Diplomacisë bilaterale dhe multilaterale, të ketë bashkëpunim dhe koordinim me aleatet ndërkombëtar dhe bashkëpunim me shtetet në rajon, e në veçanti me Shqipërinë”. /Gazeta Enigma/