Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mbajtur një fjalim në Riga të Letonisë, në kuadër të takimit të ministrave të punëve të jashtme të shteteve anëtare të aleancës ushtarake.
Stoltenberg foli për përparimin që ka bërë Ballkani Perëndimor që nga konfliktet e viteve 1990-ta.
Ai ka bërë të ditur se kohët e fundit ka pasur tensionim të situatës në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë teksa ka fajësuar akterët e huaj që po tentojnë ta minojnë progresin në këtë rajon.
“Ne diskutuam për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990. Por kohët e fundit kemi parë rritje të tensioneve. Përfshirë Kosovën, si dhe Bosnje-Hercegovinën. Akterët e huaj po punojnë për të minuar progresin”, tha fillimisht norvegjezi.
Më tutje 62-vjeçari deklaroi se NATO do të vazhdojë të punojë në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal.
“NATO do të vazhdojë të promovojë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon. Ne ramë dakord për rëndësinë e pranisë sonë. Përfshirë edhe misionin tonë të KFOR-it në Kosovë. Dhe zyrat tona në Sarajevë dhe në Beograd”, tha ndër të tjerash.
Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell tha se “Palët duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve”, derisa foli rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, kemi pasur shumë tensione gjatë verës. Situata është më e qetë së fundi. Por ka nevojë që dialogu të rikthehet sepse nuk ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”, tha Borrell.