Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se ka realizuar një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç , pas përshkallëzimi të situatës në Veri të Kosovës, si pasojë e fillimit të implementimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identiteti.
Stoltenberg, ka bërë të ditur se ai vetë ka njoftuar Vuçiç-in se NATO është i gatshëm të ndërhyjë ushtarakisht bazuar në mandatin e tij nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nëse në Kosovë rrezikohet stabiliteti.
“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Këtë bisedë telefonike pati lajmëruar edhe presidenti Vuçiç, përmes një komunikate për media, ku kishte bërë të ditur se ka folur me Stoltenberg, për siç pretendon ai, aktivitetet e Qeverisë së Kosovës, të cilët sipas tij shkaktuan frik dhe trazira në Veriun e Kosovës, edhe pse Qeveria e Kosovës fillojë vetëm implementimin e një vendimi në territorin e saj, e ndërsa qytetarët serb ishin ata të cilët bllokuan dhe pamundësuar këtë implementim.
Më tej komunikata ka njoftuar se në bisedë e sipër Vuçiç dhe Stoltenberg ranë dakord se është e nevojshme të vazhdohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie vendimtare, jo vetëm për Serbin dhe rajonin, por edhe për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.
“Serbia nuk ka shkelur as Marrëveshjen e Brukselit dhe as rezolutën 1244 të OKB-së pas tensioneve në veri, pasi në asnjë mënyrë Beogradi nuk kërcënon ruajtjen e paqes dhe vazhdon të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet në zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve të hapura”, thuhet të ketë thënë Vuçiç.
Ndryshe një ditë më parë Stoltenberg realizoi një bisedë telefonike edhe me kryeministrin e Kosovës, pas përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës.
Sipas Stoltenberg, pala kosovar dhe ajo serbe duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.
“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, kishte shkruar Stoltenberg në Twitter.