Shtëpi të rrënuara, rrugë të prishura, lumenjë të dalë nga shtrati dhe shumë dëme të tjera, po e karakterizojnë Floridën dhe juglindjen e ShBA-ve.
Asgjë nuk duket normale, gjithçka është kaotike si pasojë e një stuhije të madhe e cila ka goditur këtë pjesë, shkruan Gazeta Enigma.
Ekipe të shpëtimit kanë dalë gjithandej, po kryejnë operacione të ndryshme për të shpëtuar njërzit të cilët janë në mes të vërshimeve.
Dhjetra persona janë raportuar të vdekur, e shumë të tjerë po kërkohen.
Gazeta Enigma ka kontaktuar me një familje shqiptare që është prekur pikërisht nga uragani ‘Helene’.
Familja nga Kosova kanë njoftuar se shtëpia e tyre është shkatërruar e tëra, por fatmirësisht ata kanë shpëtuar dhe janë mirë me shëndet.
Për shkak të stuhisë, mbi 4 milionë shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë mëngjesin e së premtes në Floridë, Xhorxhia dhe Karolinë të Jugut.
Edhe Atlanta është prekur nga vërshimet, si pasojë e uraganit.
Paraprakisht, uragani Helene kishte goditur Meksikën, duke shkaktuar vërshime dhe dëme të tjera. Ndërkaq, në perëndim të Kubës, Helene shkaktoi dëme në sistemin e energjisë, duke lënë mbi 200.000 shtëpi dhe biznese pa energji elektrike. /Gazeta Enigma
Fotografi dhe video nga vendi i ngjarjes, të nisura në redaksinë e Gazetës Enigma: