Deklaratat e deputetes së parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng, dhe ambasadorit suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund, pasqyrojnë një mbështetje të fuqishme për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.
Kjo është një zhvillim i rëndësishëm, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve të fundit në sigurinë ndërkombëtare, ku agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar një rishikim të thellë të politikave të sigurisë në Evropë dhe përtej saj.
Suedia, një shtet që tradicionalisht ka mbajtur një politikë neutraliteti, vendosi të ndryshonte kursin e saj dhe të bashkohet me NATO-n pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Ky hap ka pasur ndikim të gjerë, jo vetëm në Suedi, por edhe në vendet që ndodhen në afërsi të Rusisë, duke përfshirë edhe Kosovën.
Kosova, edhe pse ende e paqartë në rrugën e saj për t’u anëtarësuar në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, ka marrë mbështetje të fortë nga shtete si Suedia, të cilat e shohin stabilitetin dhe sigurinë e rajonit si një çështje të rëndësishme.
Deputetja Bouveng ka theksuar se Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Suedisë në këtë proces dhe ka siguruar që Suedia do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj për anëtarësim në NATO.
Ky është një hap pozitiv për Kosovën, duke pasur parasysh se mbështetje të ngjashme ka ardhur edhe nga shtete të tjera të NATO-s. Mbështetje të tillë e shohim si një tregues të rëndësishëm të vullnetit ndërkombëtar për të siguruar një rajon të stabilizuar dhe të sigurt në Ballkan.
“Pushtimi rus i Ukrainës pati ndikim te madh në Evropë. Si pasojë e kësaj lufte edhe Suedia i ndryshoi qëndrimet. E pamë se në këto kohëra sfiduese nuk mund të qëndrojmë të vetëm andaj vendosëm për ndryshime. Anëtarësimi i Suedisë në NATO ishte i domosdoshëm, prandaj iu bashkuam aleancës së bashku me Finlandën. Kosova mund të nxjerr mësime të rëndësishme nga anëtarësimi ynë dhe i Finlandës në strukturat e NATO-s. Suedia e mbështet seriozisht Kosovën për t’u bërë partnere në BE dhe në NATO, mirëpo ka ende shumë punë për t’u bërë”, tha Bouveng për Tëvë1.
Disa rekomandime për Kosovën për rrugën drejt aleancës veri-atlantike i ka edhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund.
“Suedia bëri kthesë të jashtëzakonshme për t’u bërë anëtare e NATO-s. Ne nuk kemi qenë në luftë që nga viti 1814, që është një kohë shumë e gjatë. Kështu pra u desh të ndryshonte i gjithë mentaliteti i shoqërisë suedeze. Ne aplikuam për tu bërë pjesë e NATO-s, vetëm tre muaj pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Tani po ndërtojmë ngadalë forcat tona të armatosura dhe po kontribuojmë në mbrojtjen e Ukrainës. Disa nga rekomandimet për Kosovën është që të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse në kuadër te NATO-s. Është e rëndësishme që të mos përqendroheni vetëm në forcat tuaja të armatosura, por edhe në aftësitë tuaja të mbrojtjes civile”, tha Westerlund.
Diplomati suedez i kupton shumë mirë sfidat me të cilat përballet Kosova për tu anëtarësuar në NATO, duke nënvizuar këtu 4-shtetet mos-njohëse.
Megjithatë ai shprehet optimist se këto çështje do të zgjidhen në të ardhmen përmes dialogut, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që t’i forcoj marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera anëtare të aleancës.
“Është fakt që disa prej shteteve anëtare të NATO-s akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë është e rëndësishme që Kosova të mos ndalet dhe të zhvilloj dialog me ato shtete për t’i zgjidhur këto çështje. Ndërkohë Kosova mund të zhvilloj marrëdhënie të mira bilaterale me shtetet e tjera brenda NATO-s si dhe të bashkëpunojë ngushtë me to”, tha ai.
Suedia u bashkua me NATO-n më 7 mars të këtij viti, duke e zgjeruar aleancën në 32 shtete anëtare.
Rrjeti Alumni Suedez në Kosovë në bashkëpunim me ambasadën suedeze të premten organizoi konferencën “Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, mësimet e nxjerra nga Suedia”./GazetaEnigma/