“Sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri në ditët e ardhshme pritet të kenë intenzitet më të madh”

“Sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri në ditët e ardhshme pritet të kenë intenzitet më të madh”

Pesë pjesëtar të Policisë së Kosovës, gjatë së shtunës u lënduan gjatë një aksioni që po ndërmerrnin kundër kontrabandës me mallra në veri të vendit, përkatësisht në Leposaviq, raporton GazetaEnigma.

Policia dje përmes një njoftimi bëri të ditur se vetura e policisë është goditur dy herë nga një kamion në të cilin dyshohej se kishte mallra të kontrabanduara.

Pas këtij rasti ka reaguar kryeministri Albin Kurti e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Policia jonë çdo ditë demonstron vendosmëri dhe shkathtësi për të siguruar ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës. Përderisa puna profesionale e policëve ka arritur të sjell personat e dyshuar para drejtësisë, kjo e fundit, në këtë rast Prokuroria, liron njërin të dyshuar në procedurë të rregullt, sipas pohimeve të policëve”, ka thënë Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se pjesëtarët e policisë e kanë kryer më së miri operacionin kundër kontrabandës.

Ai ka shtuar se zyrtarët policor i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen, por Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht.

“Ndërkohë, prokurorja e prokurorisë themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë.  Ndaj po shpreh edhe një herë tjetër bindjen time të thellë.  Hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë, përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve dhe rritje të vetëbesimit tek ta”, është shprehur Sveçla.

Lidhur me sigurinë e Policisë së Kosovës, GazetaEnigma, ka kontaktuar me ekspertin e Sigurisë, Drizan Shala, i cili u shpreh se sulmet ndaj pjestarëve të Policisë së Kosovës, shpërfaqin krimin e organizuar të mbështetur nga shteti Serb.

“Sulmet që janë bere kundër pjestareve të PK-se , po e tregon edhe njehere faktin që krimi i organizuar është i mbështetur nga shteti i serbis dhe që me çdo kusht dhe forme tenton që në atë pjese të mbizotroje kausi ligjor”, u shpreh Shala.

“Institucionet në nivelin politik duhet që sa me pare që është e mundur të shtojnë në linjen buxhetore të tyre një shum edhe më të madhe e cila do të kishtë me u ndah si fond për veprime operacionale që Policia do kishte mundur të këtë qasje të pa kufizuar në atë fond me të cilen do kishte kontribuar qoftë në modërnizimin e flotes për veprime special operative qoft edhe përmese avancimit në terren në fushen e mbledhjes se informacioneve për nevojat e policise ne atë pjese”, vazhdoi Shala.

Shala deklaroi se veprime të tilla pritet të ketë më shumë intenzitet përarsyje që mbrapa tyre qendron personi më i kërkuari në veri.

“Veprimet e tilla kriminale në këto ditë në vazhdim pritet të këtë intenzitet, përarsyje që mbrapa tyre qendron personi më i kërkuari në veri për një mori veprash penale dhe ardhja e ti në Kosovë po jep tani me frytet e saja në aspektin negative duke kundërshtuar qdo veprim policore në atë pjese”, përfundoi Shala.

Kurse nga Policia e Kosovës, lidhur me këtë çështje nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Cilat duhet të jenë hapat që policët të jenë më të sigurtë?

Eksperti i Sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se policia nuk është e sigurtë derisa politika ndëshkimore ndaj personave që atakojnë policinë nuk ashpërsohet.

Mes tjerash, ai thotë se para ligjit duhet të jeni të barabartë, sikur policia që tejkalon kompetencat, e poashtu edhe qytetari që atakon policinë.

Ndërsa, islami thotë se mund të ndërmerret efikasiteti i policëve.

“Si masë për sigurinë e policëve mund të ndëmirret efikasiteti të policëve, ku policët shtesë duhet të arrijnë në vendin e ngjarjes kudo qoftë brenda 5 minutave”, theksoi Islami.

Islami thotë se “një zyrtar policor i përfaqëson mbi nëntë mijë policë. Puna inviduale e policisë apo edhe ekipore jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën policët nuk janë të sigurtë”, duke theksuar se polici është i pari që arrinë në vendin e ngjarjes.

Fadil Kajtazi, thotë se ka gjithandej, madje edhe në vendet më të zhvilluara. Ai shton se në SHBA, kjo dukuri është shume e theksuar.

“Në vendin tonë, këto raste jo se janë masivizuar, por kanë marr jehonë nga shkaku se ato zakonisht po ndodhin nga persona të lidhur me pushtetin, siç është rasti i fundit, nga grupet terroriste në veri te Mitrovicës, dhe për qëllime politike siç ishte rasti i goditjes së policit nga një pjestar i PSD, dhe gjatë protestave të VV-së, ku policia u sulmua me koktej molotov, një mjet jokonvencional për protesta”, tha Kajtazi.

Kajtazi thekson se çështja e këtyre akteve është moszbatimi i ligjit në mënyrë efektive nga personat që ndërmarrin sulme ndaj policisë.

“Çështja e shtimit të këtyre akteve është moszbatimi i ligjit në mënyrë efektive nga personat që ndërrmarrin sulme ndaj policisë. Ata zakonisht dënohen  me masa të lehta ndëshkimore, të cilat pastaj në të shumten e rasteve nuk mbahen”, tha Kajtazi për Gazetën Enigma.

Kujtojmë se ky nuk është sulmi i vetëm që ndodhi ndaj pjesëtarëve të policisë në veri të vendit.

Jo më larg se para tre muajve, pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri u përballën me sulme të njëpasnjëshme.

Nga 13-26 prill ata u sulmuan për gjashtë herë radhazi.

Persona të panjohur qëlluan kundër automjeteve të policisë me armë automatike, AK 47 e granata dore.

Po ashtu, u vendosën iriqë metalik në rrugë dhe mjete tjera të forta. Lëndime në njerëz nuk ka pasur, vetëm dëmeve materiale.

Rreth këtyre sulmeve autoritetet në Kosovë, thanë se janë duke zhvilluar hetime intensive, por ende nuk dihet nëse ka persona të arrestuar apo të dyshuar. /GazetaEnigma

Related Articles