Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se BE-ja po pret me padurim raportin përfundimtar për sulmin terrorist në Banjskë.
Ai theksoi se i gjithë ky proces duhet të jetë i paanshëm.
Ai shtoi se BE-ja do të shqyrtojë me kujdes rezultatet e hetimit dhe do t’i marrë masat përkatëse, pa u ndikuar “nga ndonjë mendje individuale”.
“Sa i përket Banjskës, s’mund të them asnjë informacion të ri momentalisht. BE pret me padurim përfundimin e hetimit nga autoritetet kosovare. Në momentin kur të kemi në dorë rezultatet, atëherë do t’i shqyrtojmë ato me kujdes për të nxjerrë konkluzione dhe për t’i marrë masat përkatëse, pa u ndikuar nga ndonjë mendje individuale në asnjë rast të veçantë,” u shpreh ai.
Stano gjithashtu shprehu pritshmëritë e BE-së për bashkëpunim të plotë nga çdo person që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes, duke identifikuar bashkëpunëtorët, organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Sulmi terrorist në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një patrullë e Policisë së Kosovës u sulmua me armë dhe eksplozivë. Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në këtë akt tragjik, ndërsa një oficer tjetër u plagos rëndë dhe një i tretë u lëndua. Policia reagoi menjëherë, duke ekzekutuar disa nga sulmuesit dhe duke arrestuar të tjerë, por disa prej tyre arritën të iknin drejt Serbisë.
Ky akt u dënua nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare, disa prej të cilave e konsideruan atë si veprim terrorist. Millan Radoiçiq, i cili ka pranuar publikisht se ka udhëhequr grupin që kryeu sulmin terrorist, tani është në listën e të kërkuarve nga INTERPOL-i.