Prishtinë: 55-vjeçari sulmon policin brenda stacionit dhe shkatërron kompjuterin, përfundon në ndalim

Prishtinë: 55-vjeçari sulmon policin brenda stacionit dhe shkatërron kompjuterin, përfundon në ndalim

Një incident i rëndë ka ndodhur sot paradite brenda Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, ku një person i shoqëruar nga policia ka kaluar në sulm fizik ndaj zyrtarit policor, kanosje dhe dëmtim të pasurisë shtetërore.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se më 10 janar 2026, në intervalin kohor 10:00–11:00, në rrugën “Toni Bler”, zyrtarët policorë kanë shoqëruar në stacion L. B rreth 55 vjeçar për shkak të moszbatimit të urdhrit zyrtar.

Gjatë procedurës policore, konkretisht në momentin e largimit të prangave, i dyshuari ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, duke e goditur në pjesën e nofullës, ndërsa më pas ka shkelmuar një kompjuter, duke shkaktuar dëmtimin e pajisjes dhe shtëpizës së saj.

Si pasojë e sulmit, zyrtari policor ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes është përfshirë edhe Njësia për Hetimin e Personave (NJHP), e cila ka marrë në trajtim rastin. Janë intervistuar zyrtarët policorë në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa L. B është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës.

Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale:
• Sulm ndaj personit zyrtar
• Kanosje
• Dëmtim apo asgjësim i pasurisë

Me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Related Articles