Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës u ka uruar mirëseardhje policëve të rinj në rrugëtimin e tyre si pjesëtarë të policisë së Kosovës duke u thënë që ti kenë parasysh vlerat themelore për shërbim të dinjitetshëm ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Ndërsa niseni në këtë rrugëtim, integriteti, profesionalizmi, respekti , paanshmëria janë disa nga parimet me të cilat duhet të veproni në përputhje si dhe të jeni të përkushtuar që t’u shërbeni qytetarëve të Kosovës pavarësisht rrethanave”, ka deklaruar Osmani.
E para e vendit ka thënë se ceremonia e diplomimit të 433 kadetëve të gjeneratës së 57-të është një ditë fantastike për të festuar angazhimin e pashoq të Policisë së Kosovës, që siç është shprehur ajo, është sinonim i një force multietnike profesionale.
Në 433 kadetë të diplomuar, ajo ka thënë se janë 53 gra e vajza teksa ka theksuar se pjesëmarrja e grave në polici e në sektoret e sigurisë është investim i shtuar i Kosovës.
“Sa më shumë vajza e gra në pozitat vendimmarrëse, më shumë siguri e avancim në shtetin tonë”, ka vijuar ajo.
Sipas saj, diversiteti gjinor e etnik në policinë e Kosovës është reflektim i një mjedisi të sigurt.
Ajo ka falënderuar edhe angazhimin e policëve të Kosovës ndër dekada duke thënë se sundimi i ligjit është synim i përditshëm i policisë së Kosovës dhe i institucioneve.
“Sot është ditë krenarie për të gjithë ne, jam e nderuar që ndodhem para jush. Do të shndërroheni në model e inspirim, kjo pjesëmarrje e grave në polici reflekton angazhimin e përbashkët e serioz që të rritet numri i grave. Ju nuk e përfaqësoni vetëm veten e juaj, por edhe qytetarët e Kosovës. Kam bindjen e fuqishme që secili nga ju është i gatshëm sa herë të jetë nevoja për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së kufijve. E keni bërë ndër vite e po vazhdon edhe sot”.
Ndryshe, të hënën në orën 10:00, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë në Sallën e Sporteve, është mbajtur Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës.
Në këtë manifestim të pranishëm ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.