Xhiroja e 16-të në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll do të dhurojë ndeshje shumë interesante.
Sfida më interesante shihet mes rivalëve të vjetër të basketbollit të Kosovës, Sigal Prishtinës dhe Pejës.
Prishtinasit kanë tetë fitore dhe shtatë humbje, kurse pejanët dhjetë fitore e pesë humbje, andaj pritet një përballje shumë rivalizuese në kryeqytet, siç ka ndodhur edhe në takimet e mëparshme mes këtyre dy skuadrave.
Në përballjet e këtij edicioni, të dy skuadrat shënuan nga një fitore si mysafire ndaj njëra-tjetrës.
Takim shumë interesant pritet edhe mes Trepçës dhe Prizrenit 16, dy skuadra që kanë ambicie të mëdha.
Mitrovicasit kanë dhjetë fitore dhe pesë humbje, ndërsa prizrenasit nëntë fitore dhe pesë humbje. Në dy takimet e këtij edicioni mes këtyre dy skuadrave, fitore kanë shënuar mitrovicasit.
Rahoveci të shtunën do të ndeshet me Dritën. Vreshtarët kanë tri fitore dhe 11 humbje, madje, dy fitore i kanë ndaj gjilanasve, që janë skuadra e vetme në elitë pa fitore, me 15 humbje.
Lideri dhe kampioni Golden Eagle Ylli sfidohet nga Bashkimi. Therandasit kanë 11 fitore dhe katër humbje, ndërsa prizrenasit tetë fitore dhe shtatë humbje. Kampionët shihen favoritë në këtë përballje, kurse mysafirët nuk udhëtojnë me flamur të bardhë dhe do të mundohen të rikthehen me rezultat pozitiv nga Theranda.