Gjykata Supreme e Kosovës refuzoi të hënën një ankesë të Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke e konsideruar si të pabazë.
Zyrtarë të kësaj gjykate thanë se, në shqyrtim e sipër, i kanë edhe dy ankesa, vendimi për të cilat “do të merret brenda afatit ligjor”.
Përveç PDK-së, në këtë gjykatë u drejtuan më 21 mars edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim.
Kjo, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i refuzoi ankesat e tyre si të pabaza.
Nga dita e pranimit të ankesave, Supremja i ka 96 orë kohë për të marrë vendimin.
Ankesa të tjera në PZAP nuk ka – “janë shqyrtuar të gjitha”, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të PZAP-së, Tefik Mahmuti, për REL.
Për çka u ankuan partitë në Supreme?
Lëvizja Vetëvendosje kërkoi të anulohen rezultatet e votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatët e saj, duke pretenduar se ka pasur “vjedhje industriale të votave”.
Një kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës nga Prizreni tha se ka pranuar informacione nga tre qytetarë, se në një vendvotim në këtë komunë, ata kanë votuar për të, por kandidati ka marrë vetëm një votë.
Koalicioni PDAK-LPB, në anën tjetër, tha se kërkon anulimin e 211 votave të Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI), të dërguara me postë, rinumërimin e disa votave dhe anulimin e disave në komunat ku nuk ka fare banorë të komunitetit ashkali.
Kur pritet certifikimi i rezultateve?
Nëse respektohen afatet ligjore për adresimin e ankesave, certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej të bëhej këtë javë.
Ky proces do t’i hapte rrugë edhe formimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e gjashtë javëve më parë.
KQZ-ja i ka publikuar rezultatet përfundimtare më 15 mars.
Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje – aktualisht në pushtet – ka siguruar 42.30% të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95%, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27%, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma 7.06%, ndërsa të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera më pak.
Rezultatet nënkuptojnë se asnjëra parti nuk ka siguruar mjaftueshëm vota për të formuar e vetme qeverinë.
Me rezultatet e konfirmuara, Vetëvendosje i ka 48 deputetë, e për të formuar shumicën duhen së paku 61.
“Aktualisht, procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 15 mars, 2025”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“KQZ-ja do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, do t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, shtoi ai.
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se, tash për tash, nuk ka diçka konkrete sa u përket bisedimeve për ndonjë bashkëpunim me ndonjë subjekt politik.
Zyrtarë të partive opozitare kanë thënë qysh javën e kaluar se po bëhen bisedime joformale për bashkëpunim.
Të gjithë prej partive në opozitë – përveç Nismës – e kanë refuzuar mundësinë e lidhjes së koalicionit me Vetëvendosjen.