Në vazhdën e masave disiplinore ndaj zyrtarëve që dyshohen për shkelje të detyrës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një vendim të rëndësishëm.
Tre zyrtarë policorë të Stacionit në Skenderaj janë suspenduar përkohësisht, në kohëzgjatje prej 72 orësh, në lidhje me një rast të Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike (PRQP).
Siç njofton Policia, “Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ka ndërmarrë disa veprime dhe në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ka marrë vendimin për suspendimin e tre (3) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Skenderaj në kohëzgjatje prej 72 orësh”.
Ndaj tyre janë iniciuar hetime të mëtejme që do të zhvillohen nga institucionet kompetente, për të verifikuar nëse ka pasur shkelje në ushtrimin e detyrës zyrtare.