Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, është deklaruar pas aksionit të sotëm të Policisë në veri, ku u gjetën dhe sekuestruan armë, municion, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarake, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se armatimi i zbuluar sot, qartëson për Kosovën dhe opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
“Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”, shkroi ai.
Në njoftimin e Policisë thuhet se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.
Gjatë këtyre kontrolleve, në një bodrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv etj.
Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes.
Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:
- 87 copë eksploziv të tipit TM 100
- 3 granata hedhës dore (zola)
- 1 armë automatike AK-47
- 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
- 14 karikatorë
- Municion të kalibrave të ndryshëm
- 63 detonatorë elektrik
- 23 detonatorë mekanik
- 1 orë për aktivizim
- 1 granatë dore M79
- 3 tuba fitila ndezës
- Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gyksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.