Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e ka përshëndetur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e grupit të organizuar kriminal në krye me Zvonko Veselinovic që vepron në veri të Kosovës.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se sot u legjimitua lufta e tyre ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, specifikisht në veri, ku struktura të caktuara kanë rezistuar saherë kanë qenë cak i shkatërrimit.
“Nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në 4 rajone të Kosovës me qëllim të goditjes së kontrabandës, në veri të Kosovës kishte rezistencë ndaj këtij aksioni me ç’rast mbetën të lënduar disa zyrtar policor e dëme të mëdha materiale. Sot u legjitimua lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, specifikisht në veri, ku struktura të caktuara kanë rezistuar saherë kanë qenë cak i shkatërrimit.
Mirëpres sanksionin e ShBA-ve ndaj grupit kriminal me fushëveprim në Serbi dhe në Kosovë dhe ritheksoj se mbesim të pakompromis në luftimin e krimit, kontrabandës e korrupsionit që cënojnë rendin dhe sigurinë kudo në Kosovë”, tha Sveçla.
Sot, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë nga 24 entite në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. /Gazeta Enigma/.