Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Komisionin parlamentar për Siguri ka kërkuar ardhjen në Kosovë të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili kërkohet për lidhje për rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, për t’u përballur me akuzat nga institucionet e drejtësisë.
Në debat me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq në Komisionin për Siguri, Sveçla i kërkoi atij që t’i bëjë presion Radojçiqit që t’i dorëzohet organeve të Policisë dhe jo të kërkojë hapësirë në Serbi.
Por deputeti, Simiq tha se Radonjiq nuk do t’i dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë pasi, siç tha ai, është një proces i montuar.
Ai po ashtu ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri janë si rrjedhojë e shtrirjes së ligjshmërisë dhe ndaljes së kontrabandës.
Sveçla tha se brenda 10 ditësh, Policia kufitare e Kosovës është sulmuar gjashtë herë.
“Në kuadër të këtij viti Policia e Kosovës me njësitë e saj ka zhvilluar rreth 1000 aksione policore. Mbi 50 grupe të organizuara kriminale janë goditur, mbi një ton substanca narkotike janë sekuestruar dhe janë ngrirë rreth 14 milionë euro. Ka zvogëlim substancial të kontrabandës të të gjitha llojeve…”, tha ai.
“Brenda 10 dite, Policia e Kosovës është sulmuar gjashtë herë dhe këto veprime konsiderojmë se janë nxitur për shkak të shtrirjes së ligjshmërisë në atë pjesë. Këto sulme janë për shkak të luftimit të kontrabandës nga ana jonë siç kemi njoftuar kemi bllokuar dosa rrugë, që kanë pamundësuar të propaganda”.
“Këto sulme kanë dhe qëllim tjetër që synojnë të shkaktojnë panik dhe pasiguri tek qytetarët dhe të destabilizojnë situatën në vendin tonë. Pas këtyre sulmeve kemi rrit aktivitet hetuese…”, tha Sveçla.