Sveçla paralajmëron heqjen e barrikadave nga policia nëse atë nuk e bën KFOR-i

Sveçla paralajmëron heqjen e barrikadave nga policia nëse atë nuk e bën KFOR-i

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka ritheksuar nevojën për largimin e barrikadave në veri të Kosovës.

Ai njoftoi se kanë kërkuar nga KFOR-i, t’i largojnë ato, por që sipas tij nëse ata nuk e bëjnë do ta bëjnë Policia e Kosovës.

“Kemi kapacitetet e mjaftueshme për largimin e barrikadave, për shkak të situatës jemi në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe presim që sa më parë të veprohet nga KFOR. U bën 13 ditë situata është e njëjtë apo e rënduar. Po presim që sa më shpejt të largohen, nëse nuk ndodhë, patjetër që ne kemi kapacitete për ta bërë vetë”, ka thënë ai.

Sveçla po ashtu, ka folur edhe për gjendjen shëndetësore të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua nën dyshimet për sulm terrorist.

Ai tha se për shkak të barrikadave, nuk kanë mundësi ta transferojnë Pantiqin, në një objekt adekuat, teksa ka shtuar se për transferimin e tij kanë kërkuar ndihmë nga KFOR-i.

“Gjendja e tij është e mirë, ka trajtimin e duhur, por pa dyshim që ai do duhej të ishte në qendrën përkatëse dhe jo në stacion policor. Lidhur me këtë rast kemi proceduar kërkesën për partnerët tanë për transferimin tij në objektet adekuate, që të vazhdojë paraburgimi dhe procedurat e mëtutjeshme. Mbetet priroitet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë. Largim i i barrikadave e mundëson këtë transferim lehtë dhe sigurtë”, ka deklaruar Sveçla.

Related Articles