“Në protestën e organizuar të hënën nga veteranët e UÇK-së para dhe në oborrin e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë protestuar veteranët, por militantë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka thënë se nuk ka asnjë dyshim që protesta që eskaloi të hënën, është zhvilluar nga militantë të cytur dhe të manipuluar nga këto dy parti opozitare.
“Aty nuk protestonin veteranët, aty protestonin militantë të PDK-së dhe AAK-së, për që kanë qenë të cytur e besa të manipuluar nga PDK-ja e AAK-ja kjo s’ka kurrfarë dyshimi. PDK-ja e LDK-ja kanë votuar për ndryshimin e ligjit. Bekim Haxhiu, Shukri Buja, Fatmir Xhelili, Kadri Veseli, këta kanë votuar për ta bërë këtë shkëputje mes pagës minimale dhe pensionit të veteranëve para pesë vitesh, tash si mundet njëri nga këta të cytë protesta kundër një vendimi që këta e kanë marrë para pesë vjetësh”, ka shtuar Sveçla, në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV.
Protesta eskaloi, kur pjesëmarrësit kaluan rrethojat dhe u futën në oborrin e Kuvendit. Tentuan të futen edhe brenda Kuvendit, por policia i ndaloi. Në protestë u lënduan dy policë e një qytetar.
Ai ka shtuar se janë në proces që listat e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të pastrohen.
“Te ne ka mirëkuptim të jashtëzakonshëm për të gjithë veteranët që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe zhvillimin e vendit, por po ashtu jemi pjesë e një procesi që listat të pastrohen. Unë jam për fillim të procesit por po ashtu jam që në vazhdimësi gjendja ekonomike e veteranëve të përmirësohet. Veteran nuk jam, unë kam mbështetur luftën si profesionist mjekësor, në aspektin logjistik por edhe politik. Nuk jam veteran për shkak të mos specifikimeve të qarta e ka parë të udhës që të mos bëhem pjesë e listës së veteranëve”, ka thënë ai.
Sveçla ka pohuar se në protestën e së hënës është hedhur gaz lotsjellës, por jo nga policia.
“Ne mendojmë se protesta e qytetarëve të pakënaqur tregon vitalitet të shoqërisë. Është hedhur gaz lotsjellës. Policia ka deklaruar se nuk e ka hedhur ata gaz lotsjellës, që i bie se dikush tjetër e ka hedhur dhe unë kam kërkuar informata shtesë. Nuk është hera e parë që hedhet gaz lotsjellës, ne jemi duke hetuar rastin”, ka thënë ai.