Sveçla: Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndalen

Sveçla: Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndalen

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se pavarësisht situatës së lehtësuar në veri, provokimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndalen.

Në një intervistë nga stacioni policor në Mitrovicën e veriut për “20 Minutes”, Sveçla ka thënë se veprimet që janë parë të ndërmerren nga Serbia në muajin e fundit, kanë pasur ndikim rus jo për ta destabilizuar veriun, por të gjithë vendin.

“Jemi të bindur se provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk do të ndalen. Ne kemi parë një përzierje të veprimeve të ndryshme destabilizuese në katër komunat veriore gjatë ditëve të fundit nën ndikimin e drejtpërdrejtë të shtetit serb dhe presidentit Vuçiq. Ndikimi erdhi në formën e mobilizimit, financimit dhe mbështetjes logjistike. Përveç kësaj, ishin forcat e armatosura serbe, të cilat ishin vendosur në kufi si kërcënim. Sigurisht që ka pasur ndikim edhe nga Rusia si dhe nga organizatat kriminale në rajon, të cilat për vite me radhë e kanë keqpërdorur veriun e Kosovës si pikë transporti për mallra, drogë, madje edhe njerëz dhe kanë mundur të nxjerrin fitime të mëdha. Të gjithë këta faktorë janë kombinuar për të destabilizuar jo vetëm veriun e Kosovës, por të gjithë vendin”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se ka pasur arsye për shqetësim, por jo për frikësim, teksa u pyet nëse priste që Serbia ta pushtonte Kosovën.

“Ishim dhe jemi të shqetësuar, por aspak të frikësuar. Analiza e situatës bazohet në fakte dhe arsye ekzistuese. Por skenarët e paarsyeshëm nuk mund të përjashtohen plotësisht. Aktualisht jemi dëshmitarë të një lufte në Evropë, në të cilën një despot ka ndjekur synime të errëta për Ukrainën dhe rajonin, duke kapërcyer vijat e kuqe që deri vonë dukeshin të paimagjinueshme”, është shprehur ai.

Sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, komuniteti serb në veri ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të presionit të vazhdueshëm nga Beogradi.

“Ne e dimë se qytetarët tanë në veri të Kosovës nuk e kanë të lehtë. Sepse ata janë nën presion të vazhdueshëm fizik, psikologjik dhe financiar nga organizatat kriminale të kontrolluara nga Beogradi. Por edhe nga organizata të ndryshme kriminale nga rajoni. Nga ana tjetër, ne ofrojmë instrumente të shtetit ligjor që përpiqen të ofrojnë siguri për të gjithë banorët. Janë organizatat kriminale që përpiqen të shtypin popullsinë vendase dhe veçanërisht zërat e pavarur dhe të drejtë. Jam i bindur se rendi dhe ligji së shpejti do të triumfojnë edhe atje”, ka thënë ai.

Related Articles