Syla :Vendimi që mjekët e profesorët ta deklarojnë pasurinë është shkelje e Kushtetutës

Syla :Vendimi që mjekët e profesorët ta deklarojnë pasurinë është shkelje e Kushtetutës

Kryetari i Sindikatës së Mjekëve, Blerim Syla, vendimin e Qeverisë së Kosovës që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë, po e konsideron shantazh dhe shkelje të Kushtetues, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ai ka thënë se nuk është kundër këtij vendimi por se sipas tij duhet të përfshihen të gjithë ata që punojnë, duke shtuar se të njëjtën nuk e kërkojnë për këngëtarët dhe për ata që punojnë në sektorin privat.

“Nuk e shoh si hakmarrje por shkelje të Kushtetutës, sepse nëse duhet të deklarojnë pasurinë mjekët dhe profesorët, ku janë estrada këngëtarët e njerëzit që punojnë vetëm privat që nuk deklarojnë asgjë, andaj kjo është një lloj shantazhi”, tha Syla në një prononcim për Gazetën “Enigma”.

Poashtu Syla ka pohuar se kjo temë kishte filluar nga Abelard Tahiri, qysh para 2 viteve e gjysmë dhe nuk është nismë e kësaj qeverie.

“Abelard Tahiri, e ka nis punën e këtyre vendimeve. Ne kemi dërguar disa vërejtje tona dhe ato kryesoret kanë qenë të dim, se a jemi në kategori kushtetuese të gjitha apo në ato të veçanta, sepse pasurin, duhet të deklaroj secili që punon këtu, jo vetem mjekët dhe profesorët, nëse duan të jenë më transparentë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, në mbledhjen e së premtës, të Qeverisë së Kosovës, u miratua kërkesa e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Kërkesa e Sallahut u miratua me shumicë votash nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat të pranishëm në mbledhje.

“Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do të deklarojnë pasurinë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë janë shtuar mjekët dhe profesorët në institucionet publike”, ka thënë Sallahu.

Projektligji me ndryshime për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave tani e pret miratimin edhe në Kuvend./Gazeta “Enigma”/

Related Articles