Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, pas dorëzimit të Raportit të Progresit për Kosovën ka deklaruar se Kosova dhe Serbia ende nuk kanë filluar implementimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura.
Ambasadori Szunyog ka theksuar se Komisioni Evropian ka propozuar një plan të ri financiar për të lehtësuar konvergjencën ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe standardeve ekonomike të BE-së.
“Edhe Kosova dhe Serbia ende nuk kanë filluar të implementojnë obligimet që dalin nga marrëveshja e detyrueshme në rrugën e tyre drejtë BE-së. Anëtarësimi në BE është çështje strategjike dhe këtu përshtatja e vlerave të Kosovës me politikat e sigurisë së jashtme vlerësohet. Po ashtu keni paraqitur zgjedhjen tuaj strategjike duke implementuar reformat e reja. Në veçanti agjenda e reformës drejtë BE-së është me rëndësi, po ashtu stabiliteti politik i Kosovës ka lejuar të implementohet një pjesë e mirë e legjislacionit. Sidoqoftë mosbashkëpunimi mes partive dhe mospajtimet ndërmjet mazhorancës vazhdon të sfidojë punën e Kuvendit. Rekomandimet e vitit të kaluar për reformën në administratën publike nuk janë implementuar mjaftueshëm”, ka thënë ai.