Tahiri, “problematiku” që shpërfaqi përçarjen e re – Çka po ndodh në LDK-në e Abdixhikut?

Tahiri, “problematiku” që shpërfaqi përçarjen e re – Çka po ndodh në LDK-në e Abdixhikut?

Të hënën, Lidhja Demokratike e Kosovës “u shkund” nga koalicioni i ish-kandidatit të kësaj partie për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, për garën e balotazhit. Meholli, në balotazh përballë do ta ketë kandidatin e PDK-së, Ferit Idrizin i cili doli i parë në garën e 12 tetorit, shkruan Gazeta Enigma.

E gjithë kjo habi për këtë koalicion, vjen pasi vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mohuar kategorikisht një koalicion me Albin Kurtin e LVV-së, në nivelin qendror, pra për formimin e Qeverisë.

Megjithatë, sipas komunikatës të lëshuar nga LDK-ja posa ky koalicion u bë zyrtar, thuhet se kryesia nuk kishte aspak ide për këtë bashkëpunim.

LDK tha se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal, pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u tha në reagim.

Po ashtu u tha se do merren vendime përkatëse, lidhur me veprimet e Tahirit.

Haziri: Ka ndodhur pa koordinimin tonë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për Gazetën Enigma, se ky koalicion i Tahirit ka ndodhur pa koordinim me kryesinë dhe se pjesëmarrja e vetë Kurtit në nënshkrimin e këtij koalicioni, është një “maksimalizim” i kësaj situate.

“Ka ndodhur pa koordinimin tonë. Kurti po i targeton dhe po i maksimalizon situatat e tilla”, tha Haziri.

“Vetëvendosja duhet të edukohet politikisht. Ka fyer e ka sharë. Nuk mundesh me “vra” e me kërku bashkëpunim”, u shpreh më tutje ai.

Abdixhiku: Kundërshtarët aktivizohen me helm edhe për ngjarjet më periferike tonat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se janë të vetëdijshëm për kundërshtarët që “fërkojnë duart e aktivizohen me helm edhe për ngjarjet më periferike tonat”, sipas kësaj duke folur për vetëprezencën e Kurtit në Vushtrri.

“Por LDK nuk bjen në detin e madh të parëndësisë së tyre; prandaj kërkojmë mirëkuptim nga mbështetësit tanë se pse nuk reagojmë për çdo helm që kanë. Për punët brenda shtëpisë sonë, do të ketë rend. Me kohë gjithçka. Kemi punë shumë më të mençura tani”, shkroi Abdixhiku.

“Për helmin e madh ndaj Lidhjes, ndërsa, kundërshtarëve do t’iu bjerë të presin gjatë. Lidhja është e fortë. Po rritet. Veç me besim e bindje; me anëtarësinë e popullin pas; dhe mbi të gjitha pa interesa e pa kalkulime”, u shpreh tutje ai.

Gazeta Enigma sot ka kontaktuar edhe me disa anëtarë tjerë të kryesisë në LDK dhe deputetë, por të njëjti thanë se “nuk kanë asnjë koment” lidhur me këtë koalicion.

“Strategji ose mungesë e lidershipit”

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se e gjitha kjo mund të jetë një strategji e LDK-së ose një mungesë vendimmarrje dhe lidershipi.

“Mund të jetë strategji e partisë, për të bërë veprime nga dikush tjetër që nuk është pjesë e kryesisë dhe për të mos e bërë transparente dhe për të mos e zbritur mbështetjen e partisë para votuesve. Ose në rastin tjetër, mund të jetë pasojë e mungesës së kohezionit, harmonisë dhe thjesht problem në vendimmarrje dhe lidership, i cili eventualisht nuk ka kontroll dhe mbikëqyrje në anëtarët e kryesisë, siç është rasti konkret”, thotë Baraliu për “Enigmën”.

“Kjo është edhe një sinjal se partitë politike, në brendinë e tyre, nuk kanë një demokraci mirë të zhvilluar dhe ose duhet t’i legalizojnë fraksionet dhe mendimet ndryshe, siç po ndodhin në vazhdimësi, ose duhet të jenë më të organizuar, më koordinues dhe njerëzit të cilit janë në kryesi e që i marrin vendimet, të jenë të pranueshme për të gjithë”, shprehet tutje profesori universitar.

Baraliu, rastin e Tahirit e krahasoi me rastin e Ramiz Lladrovcitnë Drenas.

“Ky rast dhe rasti i Drenasit në Partinë Demokratike, flasin edhe për strategji të gabuara, edhe për mundësinë e polarizimeve të brendshme dhe grupacioneve në kryesi, sepse një pjesë e kryesisë voton për një kandidat ndryshe e një pjesë për një tjetër. Kështu pastaj shkaktojnë përçarje organizative. Prandaj do duhej që subjektet politike të jenë më të organizuara, më të hapura, më transparente, më diverse, në mënyrë që të pranojnë vendime ndryshe”.

Rasti si i Tahirit, sipas njohësit, dëmton reputacionin e partisë dhe integritetin e saj.

“Para votuesve dalin më pak të vlerësuar dhe madje edhe të dyshimtë për besimin ndaj elitave të këtyre partive”.

A e ndihmon e gjitha kjo në balotazh VV-në apo PDK-në?

Baraliu thotë se e gjithë kjo sagë, mund ta ndihmojë LVV-në me kandidatin Sylejman Meholli, por edhe mund të jetë një rënie për VV-në dhe ngritje për PDK-në.

“Mund ta ndihmojë për aq sa ka autoritete Tahiri. Por mund të ketë edhe kundërefekt, pasi që vetë kryesia ka dalë me komunikatë ku thonë se i njëjti ka vepruar krye në veti. Përderisa njerëzit e duan partinë, mund të ketë edhe efekt negativ. Por, për aq sa mund të ketë autoritet vetë ai, mund t’ia shtojë votat LVV-së”, deklaroi Baraliu.

Balotazhi

Se si do ndikojë e gjithë kjo situatë në balotazh, mbetet të shihet më 9 nëntor, kur do mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Ndërkohë, edhe vetë Kurti po kërkon koalicion për krijimin e Qeverisë, pasi i kanë mbetur edhe pesë ditë kohë. /GAZETA ENIGMA

Related Articles