Tahiri-Qeverisë: Pranojeni projektin për gazsjellësin, më pas kërkoni bazë të përhershme ushtarake të ShBA-së

Tahiri-Qeverisë: Pranojeni projektin për gazsjellësin, më pas kërkoni bazë të përhershme ushtarake të ShBA-së

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, ka vazhduar që t’i bëjë thirrje Qeverisë që ta rishikojë vendimin për anulimin e projektit të gazsjellësit.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shtoi se Qeveria duhet të tregohet  më e ndërgjegjshme që ta pranojë projektin e gazit, duke e cilësuar si një nga projektet e rëndësishme për vendin.

Këto komente ai i bëri kur foli për vizitën e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj në SHBA dhe kërkesën e tij për një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.

“Mendoj që para se Qeveria jonë para se të shkojë atje dhe me diskutu është mirë me trajtuar procesin e gazit dhe mos me refuzu një gjë të tillë, prapë i bëjmë thirrje kësaj Qeverie qe të jetë pak më e ndërgjegjshme”.

Tahiri foli edhe për fushatë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku tha se do të respektohen të gjitha masat anti-Covid në bazë të rekomandimeve.

“Ne do respektojmë masat në plotni, aq sa na lejojnë masat dhe ashtu siç duhet. Aq sa është orari dhe ashtu si duhet respektuar masat”

Ai foli edhe për dakordimin që patën në Kryesi që mbledhja të mbahet javën e ardhshme, raporton Ekonomia Online.

“Nga java e ardhshme kemi një seancë që ka të bëjë me MSA-në ku do jenë të angazhuar 26 deputetë në këtë proces, dhe kjo ndodhi me dakordim të plotë për mbledhjen e radhës”, theksoi tutje Tahiri. /Gazeta Enigma.

Related Articles