Takimi trepalësh në Bruksel: Reagimi i partive opozitare në lidhje me Planin Evropian

Takimi trepalësh në Bruksel: Reagimi i partive opozitare në lidhje me Planin Evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua dje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, takim ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nga ky takim, epilogu i vetëm pozitiv ishte publikimi i Propozimit Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë Propozim Evropian gjenden 11 pika për të cilat dje gjatë takimit pati vetëm pranim verbal në Bruksel, por jo edhe nënshkrim në letër mes dy palëve.

Në lidhje me këtë takim ka reaguar kryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.

“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”, ka thënë Krasniqi.

“Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë”.

I pari i PDK-së, thotë se në këtë marrëveshje nuk flitet për njohjen nga pesë vendet dhe nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO.

“Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë Krasniqi.

“Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër”.

Për Propozimin Evropian, ka reaguar edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike.

“Sonte në Bruksel, kryeministri i Kosovës u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”, ka thënë Abdixhiku.

“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët”.

“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”.

Abdixhiku shtoi se LDK-ja konsideron se kryeministri Kurti e ka menaxhuar tërsisht gabuar procesin e dialogut.

“LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme. Përfundimi në mes të zgjedhjes së një marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri”.

Ndryshe nga liderët më lartë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, propozimin evropian e quajti një të arritur të madhe.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe. Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, ka thënë Haradinaj.

“Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!”.

Ndërsa, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se Albin Kurti u dorëzua, meqë sipas tij, e pranoi marrëveshjen.

“Albin Kurti u dorëzua. E pranoi marrëveshjen. Borell e konfirmoi këtë zyrtarisht e publikisht. Ambasadori i Kosovës lëshoi FAKE NEËS përmes mediumit ku ka punuar, në funksion të propagandës së pushtetit”, ka thënë Molliqaj.

“E Kosova zyrtarisht mori obligim ligjor, sonte, me dakordimin e Albin Kurtit, që të pranojë një marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër. Ditët në vijim vazhdojnë negociatat për datat e zbatimit të Asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera. Por ditëve në vijim do të vazhdojë rezistenca qytetare kundër kësaj marrëveshjeje”.

“Dorëzimi i Albin Kurtit nuk do të jetë edhe dorëzim i Kosovës!”.

Related Articles