“Të dënuarit që Danimarka do t’i sjellë në Kosovë nuk kanë nënshtetësi daneze”

“Të dënuarit që Danimarka do t’i sjellë në Kosovë nuk kanë nënshtetësi daneze”

Gazetari shqiptar që vepron në Danimarkë, Adnan Aliti, shprehet i befasuar me marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Danimarkës për burgjet.

“Ishim të befasuar se si kjo marrëveshje u quajt historike. Asnjëherë në historinë e Danimarkës nuk ka ndodhur që të burgosurit të transferohen në një vend tjetër”, është shprehur Aliti.

Aliti ka treguar se personat që do të transferohen në Kosovë janë të dënuar për vepra të ndryshme penale.

“Janë persona të cilët duhet të depërtohen nga Danimarka, pra të cilët nuk janë shtetas danezë. Me vendimin e gjykatës për dënimin e tyre ata janë non grata dhe nuk kanë të drejtë të shkelin në Danimarkë”.

Sipas tij qëllimi i vetëm i marrëveshjes është se Danimarka nuk i dëshiron personat që kanë kryer vepra kriminale.

Kurse, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte njoftuar se ka arritur marrëveshje me shtetin danez për ofrimin me qira të 300 qelive të burgut të Gjilanit.

Nga kjo marrëveshje, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro.

Bazuar në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, kjo marrëveshje parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.

Ndryshe, Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, ka deklaruar se kjo është duke u bërë me qëllim që të zgjerohen kapacitetet e burgjeve të Danimarkës./Gazeta Enigma/

Related Articles