Te Kosova vlerësojnë Andorrën, por synojnë fitore

Te Kosova vlerësojnë Andorrën, por synojnë fitore

Kombëtarja e Kosovës ka synim fitoren ndaj Andorrës në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”. Megjithatë, te “Dardanët” kanë pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë të kthehen me tri pikë në Kosovë. Dueli Andorrë – Kosovë zhvillohet të enjten prej orës 20:45 dhe i takon Grupit I kualifikues.

Kosova të mërkurën mbrëma ka mbajtur stërvitjen e fundit para kësaj përballje. Kosova ende nuk ka fitore në këtë cikël eliminator dhe drejt Andorrës ka udhëtuar me synimin për trepikëshin e parë. Është e parafundit në grup me 4 pikë, dy më shumë se Andorra që renditet e fundit. Dueli i parë, i luajtur në muajin mars në Prishtinë, ka përfunduar 1:1. Selektori i Kosovës, Primozh Gliha, në konferencën për shtyp ka vlerësuar lart Andorrën. Ka thënë se është një kundërshtar i vështirë për Kosovën, duke pasur parasysh mentalitetin e fortë të futbollistëve të Andorrës. E kjo ka thënë Gliha, se mund t’ia komplikojë gjërat Kosovës. Megjithatë, Gliha ka insistuar se Kosova do të jetë gati për këtë ndeshje, ndonëse nuk ka përmendur se synon fitoren.

“Luajmë me Andorrën që është një ekip shumë i fortë. Gjatë karrierës sime si trajner në ekipe të ndryshme kam luajtur disa herë kundër Andorrës dhe nuk ka qenë aspak lehtë. Është shumë vështirë të luhet ndaj Andorrës për shkak të mentalitetit të fortë të futbollistëve dhe kjo mund të na komplikojë gjërat”, ka pranuar Gliha. “Por, sido që të jetë, ne do të jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe do të shohim se si do të shkojë takimi”.

Kosova në këtë ndeshje do të ketë mungesa të shumta. Kapiteni Amir Rrahmani mungon për shkak të lëndimit, ndërsa të lënduar janë edhe Ismajl Beka, Leart Paqarada e Shkëlqim Vladi. Edon Zhegrova nuk është bashkuar me ekipin as në Andorrë, ndërsa sipas të gjitha gjasave do të mungojë edhe futbollisti i Lillet për shkak të lëndimit të pësuar vikendin e shkuar. Listës me vonesë i është shtuar Mërgim Vojvoda, i cili ka udhëtuar me ekipin dhe pritet të jetë i gatshëm për lojë. Sulmit të Kosovës ndaj Andorrës do t’i prijë Albion Rrahmani. Rrahmani është sulmuesi i vetëm në dispozicion të Glihas, pasi Vedat Muriqi mungon shkaku i suspendimit. E Rrahmani ka thënë se do të mundohet të bëjë më të mirën për ta ndihmuar Kosovën ta fitojë ndeshjen. Sulmuesi i Rapidit të Bukureshtit është paraqitur në konferencën për shtyp përkrah selektorit Gliha. Edhe Rrahmani ka pranuar se Kosova nuk do ta ketë aspak të lehtë përballjen me Andorrën.

“Na pret një ndeshje e vështirë, por ne lojtarët do të japim gjithçka në fushë dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë do të marrim edhe fitoren. Do të mundohem ta ndihmoj ekipin të arrij objektivin që ka, për ta fituar ndeshjen. Kjo fitore do të jetë e rëndësishme për të filluar një cikël të ri me rezultate dhe shpresoj ta arrijmë këtë”, është shprehur Rrahmani.

Krahas Rrahmanit, minutazhë në këtë ndeshje ka gjasa të kenë edhe dy prej tre futbollistëve të Superligës së Kosovës, të cilët janë përfshirë në listën e Glihas. Tekniku slloven pritet të bëjë ndryshime të shumta në formacion për Andorrën, ndërsa ka gjasa të aktivizohen edhe lojtarët e ftuar nga Superliga e Kosovës. Lumbardh Dellova e Qëndrim Zyba të Ballkanit, si dhe Ilir Krasniqi i Llapit mund ta kenë rastin të debutojnë me fanellën e Kosovës në këtë ndeshje kualifikuese. “Dardanët” janë grumbulluar të hënën dhe në këtë ditë kanë mbajtur një stërvitje më shumë rigjeneruese. Të martën Kosova ka mbajtur stërvitjen e parë me intensitet të plotë, përpara se në Andorrë ta ketë një seancë të lehtë për t’i definuar gjërat para ndeshjes. Andorra do të jetë pa sulmuesin kryesor kundër Kosovës. Berto Rosas, sulmuesi i skuadrës spanjolle Betis Deportivo, është mungesë nga lista e 23 lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi Koldo Alvarez de Eulate. Rosas, i cili shënoi gol kundër Kosovës në ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues për Evropian në barazimin 1:1 në “Fadil Vokrri” më 28 mars, ka telashe fizike.

Related Articles