Te skuadra kampione e Suedisë, Malmo, kanë pranuar se nuk kanë informata të mjaftueshme për kampionin e Kosovës, Ballkanin. Malmo dhe Ballkani mund të përballen në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, nëse arrijnë ta kalojnë raundin e parë.
Në raundin e parë, Ballkani do të përballet me Zhalgirisin e Lituanisë kurse Malmo e pret fituesin e turneut preliminar të Championsit.
Drejtori sportiv i Malmos, Andreas Georgson ka theksuar se nuk ka njohuri për Ballkanin. Por ai beson se nëse vjen deri te dueli me ekipin nga Suhareka, Malmo do të dominoi në të dy ndeshjet.
“Nuk kam çka të them për Ballkanin, pasi nuk kemi ndonjë njohuri. Por besoj se mund t’i kontrollojmë dy ndeshjet. Është një ekip plotësisht pa përvojë në garat evropiane, që do të thotë se nuk ka qenë skuadër mjaftueshëm e mirë ose është bërë e tillë së fundmi. Raundi i parë kualifikues do të na tregoj shumë gjëra për të”, ka thënë Georgson për “Expressen”.