Këshilli i Prindërve të Kosovës (KPK) është takuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci pas paralajmërimit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për grevë të përgjithshme në arsim.
KPK ka kërkuar nga ministria e Arsimit që të mos përdorën nxënësit për të shtyrë agjenda të caktuara në sektorin e arsimit, në këtë takim të dyja palët ishin në diskutim për procedurat e ndryshme të udhëzimit administrativ.
“Kryetari i KPK-së, paraqiti nevojën që këshilli i prindërve të ketë mbështetje institucionale nga Ministria e Arsimit që të mundë t’iu shërbejë nevojave dhe kërkesave të shumta që prindërit kanë në mbarë Kosovën” thuhet në njoftim.
Po ashtu, në njoftim theksohet se ministrja shprehu gatishmërinë institucionale për ta mbështetur Këshillin e Prindërve të Kosovës si dhe për ta ngritur bashkëpunimin e mëtutjeshëm.
“Znj. Nagavci e informoi KPK-në edhe me të gjitha përgatitjet që janë duke u bërë për fillimin e vitit të ri shkollor dhe me ndryshimet e plotësimet ligjore që janë bërë e po bëhen në fushën e arsimit, që pritet të kenë efekt pozitiv afatgjatë”.
Ndërkaq, të dyja palët kanë rënë dakord që sistemi arsimor në Kosovë, duhet të kenë prioritet të padiskutueshëm interesin e nxënësve.