Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus të dielën ka renditur nga tri tema që Lëvizja Vetëvendosje “i ka fituar” dhe tri të tjera që “i ka fituar” partitë e ish opozitës gjatë pesë vjet qeverisje të Albin Kurtit, raporton Gazeta Enigma.
Gjatë pesë viteve të qeverisjes së VV-së, janë disa çështje që qeveria i ka paraqitur si “suksese të padiskutuara” dhe disa të tjera që opozita i ka paraqitur me efekt si dështime të qeverisjes, sipas Krasniqit.
Temat që VV i ka fituar:
1. Shtrirja e sovranitetit në veri dhe luftimi i grupeve kriminale atje.
2. Fuqizimi ushtarak i Kosovës, duke krijuar idenë se vendi mund të përballet i vetëm me çdo kërcënim eventual nga Serbia.
3. Imazhi i qeverisë ku rastet e korrupsionit paraqiten si të izoluara dhe si veprime që ndodhin pa dijenin ose përfshirjen e kryeministrit Kurti.
Temat që opozita i ka fituar:
1. Mafia energjetike në nivele qeveritare, e cila – sipas opozitës – vepron në Kosovë dhe ka lidhje me Serbinë.
2. Dobësimi i aleancave me shtetet mike, si rezultat i veprimeve të pamatura dhe qasjeve konfrontuese të qeverisë.
3. Stagnimi ekonomik dhe mungesa e investimeve, përfshirë përkeqësimin e klimës së biznesit dhe rënien e investimeve të huaja.
