Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës. Aktivistë të kësaj partie kanë vendosur mbishkrime “Tension për Asociacion” e “Tension për Koncesion” në objektin e Qeverisë të mërkurën.
Përmes një reagimi për media, PSD-ja ka thënë se tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut nga kjo Qeveri.
“Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam”, thuhet në reagimin e PSD-së, teksa përmendet çështja e targave e shtyrja e zgjedhjeve në veri.
PSD-ja konsideron se trajtimi i veriut me hekur e kërbaç është, sipas tyre, argument për formimin e Asociacionit.
“Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në Veri e kanë pasur edhe një efekt. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare më Serbinë. Tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator per Asociacionin”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.