Këshilli i Evropës sot do të diskutojë për tensionet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e lëshuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Diskutimi për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet në kuadër të sesionit dimëror të kësaj asambleje.
“Ka pasur gjithashtu kërkesa për një debat urgjent mbi “Sulmet kundër punonjësve të shërbimit publik”, dhe për debate për çështjet aktuale mbi “Tensionet e fundit midis Prishtinës dhe Beogradit””, thuhet në njoftim.
Diskutimi për Kosovën dhe Serbinë do të nis sot nga ora 11:00.
Tema kryesore e sesionit dimëror të Asamblesë Paralamentare të Këshillit të Evropës janë aspektet ligjore të të drejtave të njeriut dhe agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Gjatë këtij sesioni i cili do të nis sot dhe do të zgjas deri më 27 janar 2023, do të ketë fjalime edhe nga kryeministrja e Islandës Katrin Jakobsdóttir dhe Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.
Lufta kundër dhunës ndaj grave do të jetë gjithashtu fokusi i sesionit, me një debat të parë mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktin dhe një debat të dytë të përbashkët mbi Konventën e Stambollit, mbi rolin dhe përgjegjësinë e burrave dhe djemve në ndalimin e dhunës me bazë gjinore kundër grave dhe vajzave, dhe në gjetjen e zgjidhjeve për robërinë martesore.
Tema të tjera në agjendë përfshijnë ndikimin mjedisor të konfliktit të armatosur, luftëtarët e huaj të Daesh-it dhe familjet e tyre që kthehen nga Siria dhe gjetkë, dhe sfidat etike, kulturore dhe arsimore të aplikacioneve për gjurmimin e kontakteve.
Agjendën e plotë mund ta gjeni KËTU.