Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) gjatë këtyre ditëve ka organizuar mbajtjen e Testit të Maturës (për maturantë) dhe Arritshmërisë (për semi-maturantë).
Megjithatë, si çdo vit tjetër, edhe kësaj here, pyetjet e testeve u shpërndanë online nëpër rrjetet sociale – gjatë kohës së testimit – kështu duke hedhur dyshime nga opinioni për vlefshmërinë apo vlerësimin që mund të vijë nga këto teste.
Në popull është e njohur shprehja se në testin semi-maturantë dhe atë maturantë, “nxënësi i zellshëm dështon, ndërsa nxënësi që në fakt nuk ka njohuri, ka sukses”. Kjo pasi mundësia për të kopjuar përgjgjet është bërë shumë e lehtë, saqë nxënësit me notat më të ulëta mund të marrin pikët pothuajse maksimale në këto teste.
Edhe sot u mbajt sesioni i dytë i Testit të Arritshmërisë, dhe shpërndarja e pyetjeve online u bë përsëri.
“Testimi përkundrazi është më shumë padrejtësi selektive ndaj nxënësve sesa që bën ndonjë filtrim të mirëfilltë për vazhdim të mëtejmë të shkollimit”
Lidhur me këtë çëshjte, Gazeta Enigma kontaktoi me një ndër njohësit e çështjeve të arsimit, Rinor Qehajan, i cili tha se dy testet shpërfillin në masë të madhe vlerësimin e nxënësve gjatë shkollimit.
“Testi i Arritshmërisë dhe ai i Maturës, edhe me ligjin për arsimin para universitar, kanë karakter orientues për nxënësit, dhe të tillë edhe do duhej të ishin. Mirëpo me peshën që kanë në regjistrim, testet shpërfillin në masë të madhe vlerësimin e nxënësve gjatë shkollimit”, tha Qehaja në një përgjigje për Gazetën Enigma.
Qehaja tha se vlerësimet e tilla do të ishin të mirëseardhura po qe ishin menaxhuar siç duhet.
“Do të kishte kuptim, po te ishte i mirë administruar dhe pa shpërdorime”.
Por me formatin aktual, thotë Qehaja, testimi përkundrazi është më shumë “padrejtësi selektive ndaj nxënësve sesa që bën ndonjë filtrim të mirëfilltë për vazhdim të mëtejmë të shkollimit”.
MASHTI në ndërkohë tha se në disa Qendra ka pasur largim të nxënësve nga provimi për shkak të përdorimit të telefonave.
Pse këto teste?
Testi i Arritshmërisë bëhet për të u vlerësuar nxënësit nëse janë të denjë për të u regjistuar në një drejtim që ata duan për shkollim të mesëm, bashkë me notat që ata marrin nga klasa e gjashtë, deri tek ajo e nënta.
Ndërkohë, Testit të Maturës i nënshtrohen maturantët, me pikët e arritura që konsiderohen nga universitetet nëse ai apo ajo është e denjë për të u regjistruar aty. Bashkë me Testin e Maturës, universitetet marrin në konsiderim edhe notat përgjatë viteve shkollore në shkollim të mesëm. Përveç kësaj, maturantët ngarkohen edhe me një testim nga vetë universiteti, për të parë nivelin e dijes që ata kanë për atë degë.
Përgjatë shumë viteve ka pasur zëra që të dy këto teste – i Arritshmërisë dhe i Maturës – të anulohen tërësisht për shkak të moskredibilitetit. Në vend të kësaj, opinioni sugjeron që nxënësit të vlerësohen vetëm nga notat dhe nga testimet për pranim (siç është rasti me universitetet).
Gazeta Enigma ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë nga Ministria e Arsimit në lidhje me shpërndarjen e testeve online, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm. /Gazeta Enigma