Tetori muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Tetori muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Muaji tetor ose “Muaji rozë”, siç njihet në botë, është muaji në të cilin zhvillohen aktivitete të ndryshme të cilat kanë për qëllim promovimin dhe edukimin shëndetësor me synim të parandalimit dhe trajtimin e hershëm të kancerit të gjirit, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë.

Njëkohësisht sipas studimeve, kanceri, është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-55 vjeç.

Kanceri i gjirit është një kancer i cili fillon në indet e gjirit. Bëhet fjalë për një sëmundje e cila godet thuajse “ekskluzivisht” gratë, por në raste më të rralla edhe burrat.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Q.K.U.K, Ilir Kurtishi

Lidhur me këtë çështje, drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Q.K.U.K, Ilir Kurtishi, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, ka thënë se kjo sëmundje vazhdon të jetë prezente edhe në Kosovë, ku nga viti në vit kemi rritje të rasteve.

“Deri në shtator të këtij viti janë kryer mbi 200 000 shërbime të ndryshme në këtë Klinikë, janë diagnostikuar 1100 raste të reja me kancer edhe atë mbi 300 femra me kancer të gjirit”, ka deklaruar Kurtishi.

Njëherit, ai ka theksuar se në Klinikën e Onkologjis, janë të administruara mbi 30 000 doza të kemioterapisë dhe mbi 15 000 senaca të rrezatimit janë realizuar deri më sot.

Sipas Kurtishit misioni i kësaj klinike është eliminimi i kancerit nga Kosova.

“Misioni i Klinikës Onkologjike është të eliminojë kancerin nga Kosova, përmes programeve të jashtëzakonshme, zbulimit dhe mjekimit adekuat, ku vizioni themelor i Klinikës Onkologjike është të mbetet institucioni kryesor onkologjik në Kosovë dhe të njihet midis qendrave të onkologjisë referuese në Ballkan”, ka përfunduar ai.

Disa nga simptomat e para të kësaj sëmundje janë:

– Rritja e ndjeshmërisë së thithave

Ju mund të ndieni disa ndryshime në nivelin e gjirit dhe në këtë rast thithat, të cilat bëhen më të ndjeshme se normalja.

– Ndieni një gungë apo një gjëndër

Në rast se me vetëprekjen ju ndodh të ndieni një gjëndër apo madje edhe një fryrje pranë sqetullës, mos u frikësoni, por kini parasysh se është kambanë alarmi që nuk duhet nënvlerësuar, përkundrazi kërkoni kontroll të menjëhershëm te një specialist.

– Lëkurë si lëvozhgë portokalli

Mund të ndodhë që lëkura e gjirit ose e thithave të duket e fryrë, e kuqe ose si lëvozhgë portokalli. Por gjithashtu është e mundur që edhe forma dhe përmasat të ndryshojnë, për shembull thithat mund të futen brenda. Edhe në këtë rast duhet të shkoni sa më parë te mjeku.

– Gjoks i fryrë

Nuk ke dhimbje, por evidenton se gjoksi është rritur dhe fryrë, madje kjo fryrje nuk është e përgjithshme, por në një zonë të caktuar. Në çdo rast, bëhet fjalë sërish për një simptomë që nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë.

– Tkurrja e gjirit

Gjoksi ka tendencë të tkurret derisa edhe të zhduket pothuajse tërësisht, ndërsa vendin e tij e zë një ind yndyror, i cili e bën prekjen e zonës ku ai ishte më të lehtë, sepse është i butë dhe homogjen. Ky është një problem i cili shfaqet kryesisht pas menopauzës.

– E kruara

E kruara e gjinjëve dhe dëshira për ta hequr këtë bezdisje është e vështirë për ta mbajtur nën kontroll, ndërsa kjo ndodh qoftë te njëri gji qoftë te të dy bashkë. Bëhet fjalë për një shqetësim që mund të jetë një simptomë e të dy llojeve të kancerit të gjirit: karcinoma ductal dhe karcinoma lobulare.

Statistikat e hulumtimeve shkencore tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 femra, mirëpo mund të paraqitet edhe te meshkujt me shkallë më të ulët të rrezikut 1 në 100 raste.

Thelbësore për të shpëtuar nga kjo sëmundje është parandalimi dhe zbulimi që në kohë të hershme. Gjithmonë është e nevojshme të bëni kontrolle te mjeku juaj më i besuar, por një vetekzaminim ndihmon për të njohur më mirë trupin tuaj, por edhe simptomat./Gazeta Enigma/

Related Articles