Aktualisht në vendin tonë mbi 20 krerë lopë janë prekur me sëmundjen e “Brucelozë”.
Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka bërë të ditur Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, i cili tha se përveç këtij problemi AUV-i po përballet edhe me asgjësimin e tyre pasi që autoritetet komunale nuk kanë arritur të sigurojnë një lokacion për groposjen e tyre.
Tutje ai ka shtuar se në Komunën e Skenderajt nuk kanë mundur të veprojnë edhe pse nga kjo komunë lokacionet janë caktuar, por janë kundërshtuar nga banorët e asaj zone.
Tani jemi në pritje të gjetjes dhe caktimit të një lokacioni të ri dhe të kryhet asgjësimi i këtyre kafshëve të prekura me këtë sëmundje.
“Nga rasti i parë kur ka lindur dyshimi për prezencën e ‘Brucelozës’ në këtë fermë, ne i kemi kryer të gjitha hulumtimet diagnostike, kemi dalë në terren për marrje të mostrave të gjakut tek kafshët e dyshuara me ‘Brucelozë’ dhe me datën që kanë rezultuar pozitiv, ne menjëherë kemi dërguar ekip inspektues në fermë për t’i ndërmarrë veprimet e ndalesës, ku fermerit i është ndaluar që të bëjë qarkullim të kafshëve”, tha Thaçi për “Enigmën”.
Tutje ai ka bërë me dije se kjo fermë aktualisht është vendosur në masën e karantinës dhe ndalimi i produkteve nga këto kafshë.
“Ferma është vendosur në masën e karantinës dhe po ashtu fermerit i është dhënë urdhëresa që mos të përdorë produkte që nxjerrën nga kafshët. Ne menjëherë e kemi njoftuar organet komunale që duhet të caktohet një lokacion për vend-groposjen e tyre dhe në lokacion që janë caktuar, ne për tri herë radhazi kemi tentuar që të bëjmë groposjen e tyre por ka dështuar procesi, për shkak se banorët e fshatit kanë penguar procesin”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka theksuar se janë në gjendje gatishmërie për të marrë masa vetë se janë duke pritur nga komuna gjetjen e lokacionit të ri për groposjen e kafshëve të prekura nga kjo sëmundje.
“Ne ende po vazhdojmë të qëndrojmë në gatishmëri, jemi duke pritur vendimin e komunës për caktim të një lokacioni të ri dhe në momentin që atë e kemi të konfirmuar, ne përsëri do të tentojmë që këto të groposen” tha Thaçi për Gazetën “Enigma”.
Zëdhënësi i AUV-it tutje ka deklaruar se me gjetjen e lokacionit për groposjen e kafshëve të prekura nga kjo sëmundje kanë edhe komunat tjera dhe kjo çështje po na shkakton telasheve edhe neve si AUV.
“Bruceloza” konsiderohet si sëmundje e rrezikshme dhe infektive
Thaçi ka njoftuar se të premten janë asgjësuar 39 krerë në Istog.
Kujtojmë se sipas ligjit aktual, çdo komunë është e detyruar që ta caktojë një lokacion për asgjësimin e kafshëve në rast të paraqitjes së sëmundjeve të tilla, teksa përgjegjëse për kompensimin e fermerëve por edhe asgjësimin është AUV-i. /GAZETA ENIGMA/