Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, si dhe ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Ndryshimet e bëra prekin paragrafin 43 dhe 46 të aktakuzës, konkretisht pikat 1, 2 dhe 3 të akuzës, njofton Gazeta Enigma.
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) janë shprehur të shqetësuar për ndryshimin që është bërë nga ZPS-ja, sipas tyre, ndaj Thaçit dhe të tjerëve, “pretendohet për një formë të re të përgjegjësisë penale, kinse për ‘shtytje’ në pengimin e personave zyrtarë”.
Në reagimin e tyre theksohet se ky veprim është dëshmi e qartë e vazhdimit të një qasjeje të njëanshme dhe të padrejtë ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Përfshirja e z. Thaçi në një çështje që nuk ka asnjë lidhje me akuzat e mëparshme për të cilat po mbahet në paraburgim, është tregues se synimi nuk është drejtësia, por zgjatja e procesit dhe njollosja e qëllimshme e figurave që përfaqësojnë simbolin e rezistencës dhe lirisë së popullit tonë”.
“Është më se e qartë se Gjykata Speciale, që nga themelimi i saj, ka funksionuar si një mekanizëm politik, i cili nuk ka për qëllim ndarjen e drejtësisë, por selektimin e saj. Kjo gjykatë është shndërruar në një instrument të padrejtësisë ndërkombëtare, ku veprimet e saj janë shpesh të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës penale”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, OVL UÇK fton opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të reflektojnë mbi verpimin e ZPS-së./GazetaEnigma/