Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në Prizren, ku mbeti i therur me thikë një person.
Këtë herë në rast janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për motive akoma të panjohura. Përleshja verbale kaloi në dhunë fizike e madje deri në përdorimin e thikës, me ç’rast një 28-vjeçar mbeti i lënduar rëndë.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është dërguar në gjendje kritike në spital dhe sipas informacioneve të para po vazhdon trajtimin në këtë qendër
Në anën tjetër, i dyshuari, i cili është identifikuar nga Policia, akoma nuk është kapur pasi ka ikur nga vendi i ngjarjes menjëherë. Teksa kërkimet po vazhdojnë, Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore për të lokalizuar vendndodhjen e të njëjtit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit posa të sigurohet prezenca e tij dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.