Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e ka komentuar deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila në seancën gjyqësore të së premtes ka kërkuar nga prokurori Ilaz Beqiri që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza për gazin lotsjellës.
Kjo pasi sipas saj, mungon ekspertiza dhe faktet. Bëhet fjalë për rastin ku ajo bashkë me deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, akuzohen se më 19 shkurt 2016 kanë poseduar jashtëligjshëm në Parlament nga një bombolë të gazit.
“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu.
E Miftaraj në një prononcim për Telegrafin tha se emërimi nga politika i kandidatëve që kanë aktakuzë ul integritetin e pozitës që mbajnë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi në vazhdimësi ka kërkuar që në pozita që emërohen nga politika të ketë kandidatë që nuk janë në aktakuza, pasi vinë në situata të tilla ku kemi ministra të cilët në vend që të jenë në zyre për të qeverisur, një kohë të mirë kalojnë nëpër salla të gjykatave. Kjo pa dyshim se ul integritetin e zyrës dhe pozitës që mbajnë”, u shpreh Miftaraj.
Ndërsa, sa i përket deklarimit të Haxhiut në seancë gjyqësore tha se nuk përbën ndërhyrje e as presion ndaj prokurorit.
“Deklarata e saj ka qenë në mbrojtje të asaj që ajo beson se kemi të bëjmë më një aktakuzë të pa bazuar. Deklaratat e avokatëve apo të pandehurve për të ofruar mbrojtje për klientin apo veten para gjykatësit apo prokurorit, duke shfrytëzuar të drejtën që e ofron ligji, nuk mund të konsiderohen as ndërhyrje e as presion”, deklaroi tutje Miftaraj.
Ndryshe, deklarimi i ministres Haxhiu ka ngjallur reagimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ka thënë se “të dorëzuar i duan të gjithë”, referuar partisë në pushtet pjesë e së cilës është Haxhiu.
“’Dorëzohu, s’është vonë’ i paska thënë prokurorit e pandehura Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë. Sepse, ashtu, të dorëzuar i duan të gjithë. Të dorëzuar i duan mjekët, mësuesit, policët, prokurorët, mediat, shoqërinë civile, opozitën”, ka shkruar ajo në Facebook, derisa ka shtuar se “kjo mendësi nuk kalon në Kosovë”.
Ndërsa, koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, deklarimin e Haxhiut e ka cilësuar si presion mbi prokurorinë.
“Ministrja që premton reforma, shfaqet në sallën e gjykatës si e akuzuar dhe bënë presion mbi prokurorinë! Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i paska bërë thirrje sot prokurorit të çështjes që të tërhiqet nga aktakuza kundër saj për hedhjen të gazit lotsjellës në Kuvend. Kjo thirrje mund të dëgjohet vetëm në vende me regjime totalitare, e assesi në një vend me aspirata për integrim evropian”, ka shkruar Gruda në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se Haxhiu nuk duhet të harrojë se përveç se e akuzuar në këtë rast është edhe ministre e Drejtësisë.
“Një koment i tillë është qartazi ndërhyrje drejtësi dhe presion mbi organin e akuzës. Nga pikëpamja profesionale, këtë gjë është absurd ta bëjë edhe një person laik në drejtësi e lëre më një Ministre e Drejtësisë!”, ka përfunduar Gruda.
E kontaktuar nga Telegrafi për të komentuar kritikat e PDK-së, Haxhiu tha se “nuk kam kohë të merrem me ta”.