Thotë se familjari i vdiq nga COVID-19, por IKSHPK nuk e regjistroi si të tillë

Thotë se familjari i vdiq nga COVID-19, por IKSHPK nuk e regjistroi si të tillë

Në formularin e raportimit të vdekjes së tij, përmendet edhe sëmundja COVID-19, por sipas familjarit që nuk deshi të identifikohet, vdekja e tij u përcaktua si post-COVID.

Kjo vdekje, sipas këtij familjari, nuk u llogarit si vdekje nga sëmundja COVID-19.

Pacienti, sipas raportit, vuante edhe nga sëmundje shoqëruese, përkatësisht sëmundje kardiake, hipertension dhe diabet.

Që nga fillimi i përhapjes së pandemisë së koronavirusit në Kosovë, në mars të vitit 2020, institucionet shëndetësore kanë regjistruar edhe vdekjet e personave me COVID-19.

Gjatë muajve të parë të pandemisë, në njoftimet e rregullta të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, zakonisht njoftohej nëse të vdekurit me COVID-19 kishin edhe sëmundje shoqëruese.

Me rritjen e rasteve të këtyre vdekjeve, detaje të ngjashme nuk jepen më publikisht, derisa bëhet i ditur vetëm numri i përgjithshëm i atyre që konsiderohen të vdekur nga COVID-19.

MSH: Po punojmë me udhëzimet e OBSH-së

Nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Kosovë për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se për definimin e rasteve të vdekura nga COVID-19, apo shkaktarë të tjerë, përdoren udhëzuesit e Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH) “bazuar në Klasifikimin Statistikor Ndërkombëtar të Sëmundjeve”.

Udhëzuesi, të cilit Ministria e Shëndetësisë i referohet, u publikua më 16 prill 2020.

Në këtë udhëzues thuhet se “një vdekje, si pasojë e COVID-19, definohet për qëllime të mbikëqyrjes si një vdIuekje nga një sëmundje klinikisht e përputhshme në një rast eventual ose të konfirmuar me COVID-19″.

“Përveç nëse ka një shkaktar alternativ të vdekjes, që nuk mund të lidhet me sëmundjen e COVID-19 ( si p.sh. trauma)”, thuhet në këtë udhëzues.

Në mënyrë që një vdekje të përcaktohet se është shkaktuar si pasojë e COVID-19, sipas OBSH-së, nuk mund të ketë një periudhë të shërimit të plotë nga COVID-19 dhe vdekjes së pacientit.

“Një vdekje si pasojë e COVID-19, nuk mund t’i atribuohet një sëmundjeje tjetër (p.sh. kancerit) dhe duhet të numërohet pavarësisht gjendjeve ekzistuese që dyshohet se kanë nxitur përkeqësim të COVID-19”, thuhet në raport.

Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi formën se si një vdekje hyn në mesin e numrave të vdekjeve ditore nga COVID-19.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha për Radion Evropa e Lirë se “kjo çështje është strikt procedurë e klinicistit që merret me rastin”.

Në Kosovë në muajt e fundit ka pasur një rritje të rasteve të vdekjeve me COVID-19.

Vetëm nga e hëna më 13 shtator deri të dielën më 19 shtator janë shënuar 104 raste të vdekjeve nga COVID-19.

Profesionistë shëndetësorë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se vonesat e paraqitjes me kohë te mjeku, mosvaksinimi kundër COVID-19 dhe mungesa e stafit shëndetësor në spitale, janë disa prej arsyeve pse po vazhdon të ketë numër të lartë të vdekjeve në Kosovë nga koronavirusi.

Rregullat e varrimit për viktimat nga COVID-19

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë që për rastet e të vdekurve nga COVID-19, duhet të ndiqen udhëzimet ligjore sa i përket procedurave të varrimit.

Udhëzimet ligjore sipas MSH-së janë të përpiluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, që përcjellin edhe rregullat e OBSH-së.

Sipas kësaj rregullative, personi i vdekur nga COVID-19, duhet të futet në qese speciale të mbyllura hermetikisht nga punëtorët shëndetësorë, të cilët janë të trajnuar për menaxhimin e personave që vdesin nga sëmundjet ngjitëse.

“Pastaj kufoma të vendoset në arkivol metali, i cili duhet të mbyllet hermetikisht dhe pastaj arkivoli i metalit në arkivol të drurit, pas së cilit hap të procedurës është e obliguar të kryhet masa sanitare e dezinfektimit të hapësirës, mjeteve të punës, vendit, asgjësimin të uniformave të punëtorëve shëndetësorë që kanë menaxhuar rastin”, thuhet në raport.

Personat të cilët kanë vdekur nga COVID-19, nuk lejohet të lahen apo të vishen sipas riteve fetare.

Ministria e Shëndetësisë megjithatë nuk është përgjigjur në pyetjen nëse personat e vdekur nga COVID-19, por që në momentin e vdekjes nuk kanë pasur test pozitiv për koronavirus, i nënshtrohen kësaj procedure të varrimit.

Kosova, që prej muajit gusht, është përballur me rritje të rasteve me koronavirus dhe të vdekjeve. Aktualisht raste aktive janë mbi 9 mijë.

Related Articles