Rreth një miliard euro fonde mbeten të papërdorura për Kosovën, pasi marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke ngadalësuar hyrjen në fuqi të tyre dhe përfitimin e shumës së alokuar, shkruan Gazeta “Enigma”.
Nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i janë ndarë rreth 882 milionë euro, për të cilat vendi ka miratuar agjendën e reformave – domethënë se ku do t’i shpenzojë këto fonde – por ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend mbetet i pazgjidhur.
Nga ana tjetër, tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore, të cilat kapin rreth 120 milionë euro financim për projekte të ndryshme zhvillimore, gjithashtu nuk kanë hyrë në fuqi për të nisur zbatimin.
Marrëveshjet mbërritën te ligjvënësit që në fund të vitit 2024, por ratifikimi po pret që atëherë, pasi Kuvendi i kaluar nuk i votoi, ndërsa legjislatura e re ende nuk i ka dhënë “dritën e gjelbër” përderisa vendi ende është në rinumërim të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Paaftësi politike – dëmtim i imazhit ndërkombëtar”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, beson se vendi ka ende kohë për të kapur afatet e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Nëqoftëse do të ketë efikasitet në shpalljen e rezultateve përfundimtare, në ankimimet që janë bërë pas certifikimit të rezultateve, mendoj që do të zihen afatet për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
Por, sipas juristit Baraliu, nëse edhe këtu vonohemi, atëherë kjo do të ketë impakt negative në imazhin e vendit para ndërkombëtarëve.
“Nëse këtu vonohemi, atëhere kjo mund të ndikoj negativisht në imazhin e Kosovës, sepse fatkeqsisht, kemi dëshmuar paaftësi politike dhe institucionale vitin e kaluar dhe shumë keq është reflektuar ajo bllokada që ishte. Tani, nëse vazhdojmë përsëri edhe me mos funksionim të institucioneve në mënyrë efikase, siç është tani rasti i KQZ-së, kjo patjetër që ndikon shumë në uljen e rejtingut dhe reputacionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, përfundoi ai.
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, ua lë fajin klasës politike për mos arritjen e alokimit të mjeteve nga BE-ja
Fakti që Kosova ka dështuar të përfitojë 171 milionë euro nga Komisioni Evropian nuk është gabim procedural, por akt i pastër paaftësie shtetërore. Ky është një skandal politik me pasoja direkte ekonomike. Mjetet ishin në tavolinë, kushtet ishin të qarta, por partitë politike kanë zgjedhur paralizën, konfliktin dhe kalkulimet e ulëta partiake në vend të interesit publik”, tha ai.
Tutje, Muhaxheri tha se kjo “kjo e ekspozon Kosovën si shtet që nuk arrin të funksionojë as në çështjet më elementare dhe e diskrediton seriozisht në sytë e partnerëve evropianë”.
“Dëmi ekonomik është brutal. 171 milionë euro të humbura do të thotë projekte të bllokuara, investime të anuluara, vende pune të parealizuara dhe presion shtesë mbi një ekonomi tashmë të brishtë. Në një kohë kur qytetarët përballen me rritje çmimesh, varfëri dhe pasiguri ekonomike, ky dështim përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj standardit jetësor. Kjo nuk është më thjesht papërgjegjësi — është dëm i qëllimshëm politik ndaj interesit publik dhe një mesazh i qartë se institucionet kanë dështuar tërësisht në menaxhimin e shtetit”, përfundoi ai prononcimin për Gazetën Enigma.
BE-ja ndan 171 mln euro për Ballkanin, Kosova jashtë listës
Komisioni Evropian ka njoftuar të martën se ka ndarë mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova.
“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”, tha zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.
“Tik-Tak” – këto janë afatet e Kosovës për marrëveshjet ndërkombëtare
Në përgjigje me shkrim për media, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka bërë të ditur se:
“Afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes që parasheh financimin e politikës zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër është 13 shkurt 2026.”
Ndërsa Banka Botërore ka miratuar edhe dy projekte të tjera për Kosovën: projektin e forcimit të Sistemit Shëndetësor në vlerë prej 18.6 milionë eurosh dhe projektin e arsimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, po ashtu në vlerë 18.6 milionë euro. Për këto marrëveshje, zyra ka njoftuar se afati i fundit i hyrjes në fuqi për projektet e Sistemit Shëndetësor është 30 prill 2026, ndërsa për projektin e arsimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme 7 maj 2026.
Ndërsa Plani i Rritjes i BE-së ka një periudhë zbatimi deri në vitin 2027, që do të thotë se fondet e alokuara nën këtë instrument nuk mund të përdoren jashtë këtij viti.
Megjithatë, pa hyrje në fuqi të marrëveshjeve dhe pa ratifikimin e tyre në Kuvend, Kosova nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë dhe as të nisë zbatimin e projekteve të parashikuara. Për këtë arsye, një pjesë e konsiderueshme e fondeve mbetet në pritje, ndërsa vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë miratuar marrëveshjet dhe kanë përmbushur kushtet, kanë nisur të përfitojnë nga Plani i Rritjes.
Rëndësia e këtyre fondeve është e madhe për zhvillimin ekonomik dhe reformat institucionale që synohen me pakon e BE-së dhe mbështetjen financiare ndërkombëtare, duke përfshirë politika fiskale, konkurrueshmëri dhe rritje të qëndrueshme. Por, pa miratimin e marrëveshjeve deri në afatet e caktuara, ekziston rreziku që disa nga këto mjete të humbin dhe t’i shpërndahen vendeve të tjera që plotësojnë kushtet kohore dhe ligjore.
Në këtë kuadër, afatet e Bankës Botërore për projektet sektoriale dhe afati i përgjithshëm i Plani të Rritjes së BE-së deri në vitin 2027 përbëjnë kufijtë kohorë kyç për Kosovën që të shfrytëzojë këto fonde./Gazeta Enigma/
