Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimit të Gazetës Metro dhe disa mediave të tjera se Osmani ka premtuar toka për Manastirin e Deçanit në këmbim të ftesës nga SHBA-të në Samit për Demokraci, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
“Lajmi i publikuar ne pseudo-portalet ‘Periskopi’, ‘Ekonomia Online’, ‘Gazeta Metro’, etj se kinse unë kam premtuar toka për manastirin e Deçanit apo për këdo tjetër në shkëmbim të ftesës për Samitin për Demokraci në ShBA është GËNJESHTËR”, ka shkruar Osmani.
Njëherit, ajo ka thënë se “Qysh nesër do të ndërmarrë të gjitha masat për ngritjen e padisë kundër këtyre portaleve dhe kujtdo tjetër që ka publikuar apo publikon një propagandë të tillë”.
Osmani ka thënë se “Kosova ka merituar të ftohet sepse është demokraci. Miqtë tanë amerikanë nuk janë ata që ndonjëherë kanë kërkuar toka të Kosovës”.
Ndërkaq koha e atyre politikanëve që qesin në treg tokën e Kosovës ka perënduar njëherë e përgiithmonë, ka përfunduar Osmani.
Të shtunën e 13 e nëntorit Gazeta Metro ka njoftuar se nga Ministria e Punëve të Jashtme, kanë treguar se në mënyrë që Kosova të sigurojë këtë ftesë atëherë u janë paraqitur disa kërkesa me kusht që të realizohen në të ardhmen.
E sipas këtyre burimeve, presidentja e vendit Vjosa Osmani ishte zotuar që të jetësohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Zbatimi i këtij vendimi ishte kërkuar specifikisht nga SHBA, por edhe vendet tjera aleate bashkë me ambasadorët e tyre kishin kërkuar që të zbatohej.
Para 4 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune./Gazeta Enigma/